Sulltan Nevruzi, festa që simbolizon rilindjen dhe shpresën. Si e kremtojnë bektashinjtë!
Dritare.net

Sulltan Nevruzi, festa që simbolizon rilindjen dhe shpresën – si e kremtojnë bektashinjtë në Shqipëri dhe botë
Sot festohet Sulltan Nevruzi, një nga festat më të rëndësishme për komunitetin bektashian, e cila në Shqipëri njihet edhe si festë kombëtare me vlera të veçanta shpirtërore dhe kulturore.
Edhe pse në shumë vende të botës kjo festë kremtohet më 21 mars, në Shqipëri ajo festohet më 22 mars. Kjo ditë përkon me ardhjen e pranverës dhe simbolizon rilindjen, shpresën dhe fillimet e reja për besimtarët.
Fjala “Novruz” vjen nga gjuha perse dhe do të thotë “ditë e re”. Kjo festë ka një histori mbi 3000-vjeçare dhe nis tradicionalisht me ekuinoksin pranveror, duke shënuar edhe ditën e parë të vitit në kalendarin iranian. Ajo festohet gjerësisht në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.
Sulltan Nevruzi zgjat zakonisht disa ditë, gjatë të cilave besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita, kryejnë rite fetare dhe ndihmojnë njerëzit në nevojë. Një traditë e rëndësishme është shpërndarja e qumështit dhe sherbetit, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.
Në kuadër të festës, familjet mbjellin lule ose vendosin degë ulliri në hyrje të shtëpive, si shenjë paqeje dhe begatie. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e traditës është therja e kurbanit dhe përgatitja e ushqimeve të veçanta.
Në tryezat festive nuk mungon mishi i pjekur dhe ëmbëlsirat tradicionale si sultiashi, i përgatitur me qumësht, oriz dhe sherbet, që mbartin simbolikë të thellë për jetën dhe bollëkun. Një tjetër gatim karakteristik është kabunia, ndërsa në zonat fushore përgatitet edhe kulaçi me petë, që lidhet me besimin për një vit të begatë.
Sulltan Nevruzi mbetet një festë që bashkon njerëzit, duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe harmonie në shoqëri./dritare.net