Vengu: 1500 hektarë tokë nën ujë në vend, 200 familje të evakuuara nga përmbytjet
Dritare.net

Nga Saranda, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se për shkak të reshjeve intensive të ditëve të fundit, rreth 1500 hektarë tokë janë aktualisht nën ujë në të gjithë vendin.
Sipas Vengut, zona më të prekura janë Lezha dhe Kurbinin me rreth 500 hektarë të përmbytura, si dhe zona e Devollit dhe Maliqit, ku niveli i ujit ka rënë, por ende mbeten sipërfaqe të përmbytura.
“Situatë problematike paraqitet edhe në basenet e Vjosës dhe Semanit, ku ujërat ndodhen brenda argjinaturave, por po kërcënojnë disa zona të banuara. Gjithashtu, Saranda është prekur masivisht, me rreth 500 hektarë nën ujë në këto momente”, tha ministri.
200 familje të evakuuara
Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se në rang vendi janë evakuuar rreth 200 familje, nga të cilat 150 janë rikthyer në banesa, ndërsa 50 familje vijojnë të qëndrojnë në konvikte.
Forcat e emergjencave dhe Forcat e Armatosura janë të përqendruara aktualisht në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara, të cilat, sipas Vengut, janë çarë si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve.
Çarje në argjinaturën e Bistricës së Madhe
Sipas ministrit, argjinatura e Bistricës së Madhe ka pësuar çarje në të paktën katër pika.
“Po punohet nga të dy frontet, në bashkëpunim me bashkinë, skuadrat xheniere të Forcave të Armatosura dhe operatorë privatë, për mbylljen e çarjeve. Kjo pritet të mundësojë uljen e nivelit të ujërave, vënien në punë të hidrovorit dhe stabilizimin e situatës brenda dy ditësh”, u shpreh Vengu.
Dëme të mëdha në blegtori
Ministri paralajmëroi edhe dëme të konsiderueshme në sektorin e blegtorisë në zonën e Sarandës.
Sipas tij, rreth 50% e bagëtive të regjistruara dyshohet se kanë ngordhur, ndërsa shumë stalla janë dëmtuar. Procesi i inventarizimit dhe asgjësimit të kafshëve të ngordhura do të kryhet për arsye shëndetësore dhe më pas do të nisë faza e dëmshpërblimit për blegtorët.
Ura të dëmtuara dhe zona në rrezik
Vengu bëri me dije se aktualisht shqetësuese mbeten tre situata, veçanërisht në zonën e Semanit, në Kallm, Belinë dhe Roskovec, ku forcat janë në terren për të frenuar rrezikun e daljes së lumit nga argjinaturat.
Nga të dhënat paraprake, janë evidentuar rreth 20 ura të dëmtuara, disa prej të cilave mund të rehabilitohen shpejt, ndërsa ura të tjera kërkojnë ndërhyrje të plotë, veçanërisht në zonën e Glinës në Dropull.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet./L.F-dritare.net