Vlora gati për verën, ministri Gonxhja: Ja prioritetet për 2026!
Dritare.net

Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja ishte sot në Vlorë ku zhvilloi një takim pune me ekipet e bashkisë. Në këtë takim u diskutuan prioritetet kryesore për zhvillimin e qytetit dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.
Gjatë diskutimeve ministri Gonxhja tha se u ndalën te projektet në zhvillim dhe masat për një organizim sa më të mirë të sezonit turistik, me synimin që aktivitetet dhe vizitat turistike të shtrihen përtej periudhës së verës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua menaxhimit dhe pastrimit të plazheve, përgatitjes së vijës bregdetare dhe rritjes së standardeve për qytetarët dhe turistët që vizitojnë Vlorën.
Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishin edhe asetet kulturore të zonës, përfshirë muzeumet dhe Kalaja e Kaninës, si dhe mundësitë për bashkëmenaxhimin e tyre, me qëllim forcimin e sinergjisë mes turizmit, kulturës dhe sportit.
Ministri tha se Vlora meriton më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale, ndërsa puna do të vijojë për një sezon turistik sa më të organizuar dhe për një vit 2026 më të gjallë për qytetin./L.F-dritare.net