Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zhdukni polisterolin! Alarmi i inxhinierit Xhevahir Ngjeqari pas djegies së pallatit në Tiranë

Zhdukni polisterolin! Alarmi i inxhinierit Xhevahir Ngjeqari pas djegies së

Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari ka ngritur alarmin për sigurinë e ndërtimeve në Tiranë, pas zjarrit të fundit në një pallat pranë Spitali Nënë Tereza. I ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTv, ai paralajmëroi se përdorimi i materialeve të rrezikshme, si polisteroli, mund ta kthejë kryeqytetin në një eshkë të gatshme për t’u djegur.

Sipas tij, kjo ngjarje duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të zbuluar shkaqet reale dhe për të ndërtuar një bazë të fortë ligjore për ndërtimet. “Kjo dramë duhet të shërbejë që të nxirret e vërteta dhe mbi këtë të ndërtohet një ligjshmëri,” u shpreh Ngjeqari.

Ai theksoi nevojën për analizë të detajuar të materialeve, duke përfshirë karakteristikat fiziko-kimike dhe termike. “Duhet një manual i qartë për ndërtuesit: nëse përdor polisterol, duhet të marrësh masa konkrete që ai të mos digjet, përndryshe duhet të mbash përgjegjësi ligjore,” tha ai.


Ngjeqari sugjeron masa konkrete për parandalimin e zjarreve, duke përfshirë kufizimin ose heqjen e polisterolit, veçanërisht në katet e para të pallateve. “Në katet e para duhet të përdoren materiale të tjera, më të sigurta, për të shmangur ndezjen e zjarrit,” theksoi ai, duke rekomanduar alternativa si leshi i gurit.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është mungesa e infrastrukturës bazë për emergjenca. “Sot pallatet nuk kanë as hidrante. Minimalja është që çdo kompleks të ketë një burim uji për zjarrfikësit,” u shpreh Ngjeqari, duke shtuar se kjo do të lehtësonte ndjeshëm ndërhyrjen në raste zjarri.

Ai kritikoi edhe tendencën për të fajësuar persona të gabuar pas ngjarjeve të tilla. “Administratori nuk ka lidhje me zjarrin. Përgjegjësia duhet kërkuar te projekti, materialet dhe zbatimi i tyre,” deklaroi ai.

Në përfundim, inxhinieri bëri thirrje për reforma të thella në sektorin e ndërtimit dhe standardizim të menjëhershëm. “Kjo ngjarje duhet të kthehet në një manual për të ardhmen. Nëse nuk vendosim rregulla të qarta, rrezikojmë që Tirana të digjet si një eshkë,” përfundoi Xhevahir Ngjeqari./K.C/dritare.net