Na ndiqni edhe në

Bota

Përplasja Trump-Papa Leon/ Presidenti amerikan po humbet mbështetje

Përplasja Trump-Papa Leon/ Presidenti amerikan po humbet mbështetje

Përplasja mes Donald Trump dhe Papa Leo po zhvillohet publikisht dhe mund t’i kushtojë presidentit amerikan një pjesë të rëndësishme të mbështetjes, veçanërisht nga katolikët konservatorë.

Sipas raportimeve, reagimet janë shtuar pas kritikave të ashpra të Trump ndaj Papës, të cilin e cilësoi si “shumë liberal” dhe “të dobët ndaj krimit”, si dhe pas publikimit të një imazhi të krijuar me inteligjencë artificiale ku presidenti paraqitej si figurë e ngjashme me Krishtin. Këto veprime kanë nxitur reagime të forta, edhe nga figura që më parë kanë qenë mbështetës të tij.

Një nga kritikët më të zëshëm ka qenë Joseph Strickland, i cili ka qenë më herët një mbështetës i fortë i Trump. Ai deklaroi se nuk e mbështet konfliktin në Iran dhe u rreshtua me qëndrimin e Papës për paqe, duke theksuar se lufta nuk përmbush kriteret e një “lufte të drejtë”.

“Kur liderët botërorë harrojnë se pushteti suprem i përket Krishtit, të gjithë janë në rrezik”, tha Strickland, duke kritikuar edhe përdorimin e fesë për të justifikuar veprimet ushtarake.

Edhe figura të tjera konservatore katolike, si Peter Wolfgang, kanë paralajmëruar se sulmet ndaj Papës mund të dëmtojnë mbështetjen e Trump mes votuesve katolikë. Sipas tij, në katolicizëm, sulmet ndaj Papës perceptohen si sulme ndaj vetë Kishës.

Sipas të dhënave të Pew Research Center, katolikët amerikanë janë të ndarë politikisht, por lufta në Iran dhe kritikat ndaj Papës kanë krijuar një situatë të pazakontë, ku konservatorë dhe liberalë po bashkohen në qëndrimin kundër konfliktit.

Kjo përplasje e re politike dhe fetare pritet të ketë ndikim në mbështetjen politike të Trump, veçanërisht në një grup votuesish që ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjedhjet e fundit./K.C/dritare.net