Inxhinieri Ngjeqari: Mos bli shtëpi pa i parë këta elementë!
Dritare.net

Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari ka ngritur shqetësimin për sigurinë e ndërtimeve në Shqipëri, duke paralajmëruar rreziqe serioze nga përdorimi i materialeve të djegshme në fasadat e pallateve, si polisteroli. Deklaratat e tij erdhën pas zjarrit të fundit në një pallat pranë Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.
I ftuar në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, Ngjeqari tha se përdorimi i materialeve termoizoluese të pasigurta mund ta kthejë kryeqytetin në një “eshkë të gatshme për t’u djegur”, nëse nuk merren masa të forta kontrolli dhe standardizimi.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është përdorimi i polisterolit në ndërtim, i cili, ndonëse shërben si izolues termik, është shumë i rrezikshëm në rast zjarri për shkak të ndezshmërisë së lartë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.
“Iniciativa për të kontrolluar këto materiale duhet të jetë e prerë. Nuk mund të vazhdohet me ndërtime pa standarde të qarta sigurie,” u shpreh inxhinieri.
Ai theksoi gjithashtu se ndërhyrjet në raste emergjencash shpesh janë të vështira për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit në materiale të tilla, duke e bërë evakuimin edhe më të rrezikshëm, sidomos në katet e larta të ndërtesave.
Ngjeqari kërkoi që ndërtimet e reja të orientohen drejt materialeve më të sigurta, si leshi i gurit, duke sugjeruar që standardet e ndërtimit të unifikohen në të gjithë vendin. Sipas tij, duhet një paketë ligjore e qartë që përcakton se cilat materiale lejohen dhe si duhet të përdoren.
Ai solli si shembull disa vende europiane, si Holanda, ku përdoren teknologji të avancuara ndërtimi dhe materiale alternative, ndërsa siguria dhe menaxhimi i riskut janë pjesë e planifikimit urban.
Në përfundim, Ngjeqari theksoi se është e domosdoshme që shteti dhe institucionet të ndërhyjnë me rregulla të forta, duke detyruar ndërtuesit të zbatojnë standarde të njëjta sigurie për çdo objekt banimi apo shtetëror.
“Siguria nuk mund të lihet në dorë të zgjedhjeve individuale. Duhet një rregull i prerë për të gjithë,” përfundoi ai./K.C/dritare.net
