Na ndiqni edhe në

Opinione

Druri ka dalë nga xheneti. Të rreh ai që të do!

Druri ka dalë nga xheneti. Të rreh ai që të do!

Nga Çapajev Gjokutaj

Agresiviteti rrënqethës kundër një të moshuare në azilin e Pejës ka nxjerrë si temë të ditës edhe raportet e shoqërisë tonë me dhunën.

Druri ka dalë nga xheneti. Të rreh ai që të do. Këto i dëgjonim rëndom në fëmijëri, kur hanim ndonjë dackë.

Sot e kësaj dite nuk di ta shpjegoj: pse të rriturit e ndjenin të nevojshme të përligjnin dhunën?

Mbase për të zbutur ndjenjën e fajit. Ngrinin dorë mbi ne, fëmijët, qënie të dashura e të dobëta, aq të etura për dhembshuri e pekule.

Mbase se shtrëngimi dhe dhuna janë pjesë legjitime e moralit patriarkal. Burojnë nga bindja se ata që janë poshtë, fëmijë, gra, të skamur etj. mund të bëhen zap vetëm me detyrim e forcë. Kjo trashëgimi e lashtë u harlis dukshëm kur ra në truallin e ideologjisë totalitare që, përmes konceptesh të çuara në ekstrem si lufta e klasave etj., legjitimoi dhunën dhe represionin.

Mbase se hallet dhe varfëria i bënin njerëzit më të ashpër, marrdhëniet më të vështira dhe jetën më të zymtë.

Mbase se gjërat ndryshonin ngadalë, ndaj jeta e familjes, fisit apo bashkësisë idealizonin ruajtjen e traditës, autoritetin, status quo-në.

Ndryshe nga sot, kur gjërat ndryshojnë tak-fak dhe kur bën hajër njeriu i rritur me ndjenjën e guximit, me shpirtin e sipërmarrjes, me besim në vete e shpërfillje për autokratët.

S'ka gjëra të përjetshme. Madje edhe vetë koha është e përkohëshme.

Gjithsesi filozofime të kësaj natyre mund të na ndihmojnë ta kuptojmë dhunën si dukuri socialhistorike, por për ta shmangur atë duhet të bëjmë më pak bla bla bla e të kujdesemi më shumë për ca ‘vogëlima’ si zbatim normash e ligjesh, standarte shërbimi, trainim punonjësish, kontroll, transparencë e vetrregullim strukturash dhe të tjera detaje të këtij lloji.

Po qe se do mbetemi vetëm në sferën e filozofimeve do ngrihet ai i lashti e do na përqeshë: Unë zot, ti zot, gomarin kush e kullot?