Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama ftesë protestuesve: Po manipuloheni. Ejani shihni faktet për Zvërnecin dhe Sazanin

Ndërsa Partia Socialiste feston 35-vjetorin e themelimit, kryeministri Edi Rama zgjodhi t'u përgjigjet protestave kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan. Nga skena e festës së socialistëve në Tiranë, kreu i qeverisë tha se një pjesë e protestuesve po manipulohen nga informacione të pavërteta dhe i ftoi ata të verifikojnë faktet për investimin. Rama theksoi se ishulli i Sazanit nuk do të shitet dhe nuk do të jepet me qira, duke garantuar se ai do të mbetet pronë e shtetit shqiptar.

“Këto ditë nuk kanë qenë të lehta as për mua. Nuk ka vend dhe ditë më të duhur që, me lejen tuaj, t’u drejtohem me disa fjalë edhe atyre që nuk janë këtu mes nesh. Duke nisur nga ata që kanë dalë dhe janë në protestë për të mbrojtur Zvërnecin dhe Sazanin, nga unë dhe nga qeveria e PS-së. Përpara 800 e ca mijë shqiptarëve që më kanë besuar udhëheqjen, nëse të tjerët nuk duan as të dëgjojnë apo të besojnë ato që them unë.

Po të ishin të vërteta ato që u është mbushur mendja se janë, ashtu siç ua kanë thënë e shkruar në kanale të ndryshme, do të isha edhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush. Po jetojmë këto ditë zhvillime që vende të tjera para nesh kanë rënë në kurthe të ngjashme si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve me metoda të provuara dhe të demaskuara edhe në vende të tjera.

Kushdo që është i interesuar për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i Sazanit, unë i them se faktet që kemi në dispozicion duhet të jenë të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo. Ejani t’i dëgjoni, verifikoni vetë faktet, ejani të merrni provat për t’u ndjerë jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë për mënyrën se si institucionet tona e kanë përfaqësuar interesin publik, qoftë në lidhje me investimin për Sazanin, qoftë me zhvillimin e Zvërnecit.

Nuk ka status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Për Sazanin nuk ka asnjë marrëveshje ende sot që flasim, por ka një negociatë që zgjat prej shumë kohësh. Zgjat sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve. Ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë.

Në tryezë kemi bërë të qarta dy gjëra. Ishulli nuk shitet, gjë që, për hir të së vërtetës, as nuk e kanë kërkuar, dhe ishulli nuk jepet me qira. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar.

Shteti kërkon të marrë pjesë në investim si partner. Nuk ka njeri me logjikë që nuk e kupton se tradhtarët dhe shitësit nuk e mbajnë pronën për shtetin dhe nuk kërkojnë fitime për shtetin”, tha Rama./K.C/dritare.net