Rudina Xhunga: Ka ardhur koha që Shqipëria dhe Kosova të kenë farminfluencera!
Dritare.net

Nga Rudina Xhunga
"Pse cikli “Gjëja e gjallë të mban gjallë"? Sepse besoj se bujqësia nuk është vetëm e shkuara jonë, por një nga mundësitë më të mëdha për të ardhmen. Në Shqipëri dhe Kosovë takova fermerë që punojnë me pasion, pavarësisht vështirësive. Në Austri pashë se i njëjti pasion mbështetet nga arsimi, teknologjia, bashkëpunimi dhe politika afatgjata. Pra, ndryshimi nuk fillon te mrekullitë, por te dija.

Ky cikël nuk është bërë për të krahasuar se kush është më i mirë, por për të parë çfarë kemi të përbashkët dhe çfarë mund të mësojmë nga njëri-tjetri.

Nga fermat e Shqipërisë, te blegtorët e Kosovës e deri në zemër të Alpeve austriake, gjeta të njëjtën gjë: njerëz që jetojnë me tokën dhe kafshët e tyre.

Sepse gjëja e gjallë të mban gjallë. Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria dhe Kosova të kenë më shumë farmfluencer-a: vajza dhe djem që t’u tregojnë të rinjve se ferma nuk është prapambetje, por inovacion, sipërmarrje dhe krenari.

Sepse e ardhmja e bujqësisë ka nevojë edhe për rrjetet sociale. Sot, pjesa e dytë: Sekretet e fermave austriake./dritare.net