
Kristaq Kume: Pse Shqipëria duhet të ndahet në 4 zona zgjedhore, jo 12!
Dritare.net
Profesori Kristaq Kume, i ftuar nga Dritan Hila, në emisionin Shqip në DritareTV, ka folur për nevojën e reformës zgjedhore dhe mënyrën se si Shqipëria mund të sigurojë përfaqësim më të drejtë për qytetarët.
Sipas Kumes, sistemi aktual proporcional rajonal me 12 qarqe favorizon partitë e mëdha dhe dëmton ato të vogla. “Për shembull, në 2021 LSI mori 108 mijë vota dhe vetëm 4 mandate, ndërsa një parti tjetër me 16 mijë vota mori 1 mandat. Ky është deformim i sistemit,” tha ai.
Një nga propozimet kryesore të Kumes është reduktimi i zonave zgjedhore nga 12 në 4 – Veri, Tiranë, Shqipëria e Mesme dhe Jugu. “Kjo do të ulte fragmentarizimin dhe do të garantonte përfaqësim më të drejtë. Shumë vota që sot humbasin, do të ktheheshin në përfaqësim real në Kuvend,” shpjegoi ai.
Po ashtu, Kume mbështet idenë e listave 100% të hapura, duke shtuar: “Qytetarët duhet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë mbi kandidatët që do t’i përfaqësojnë.”
Profesori theksoi rëndësinë që proceset zgjedhore të mos trajtohen thjesht si detyrë teknike: “Synimi duhet të jetë që Kuvendi të pasqyrojë sa më drejtë vullnetin e qytetarëve dhe të ruajë proporcionalitetin,” tha ai.
Kume rikujtoi edhe historikun e sistemeve zgjedhore në Shqipëri, duke nënvizuar se të gjitha ndryshimet kanë pasur si qëllim të maksimizojnë proporcionalitetin dhe të shmangin deformimet që favorizojnë partitë e mëdha./K.C/dritare.net

















