Sokol Gjoka: Protestat sensibilizojnë, por nuk sjellin ndryshim politik
Dritare.net

I ftuar në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku në DritareTV, ish-ambasadori Sokol Gjoka komentoi protestat e zhvilluara në Tiranë.
Gjoka u shpreh se këto lëvizje qytetare kanë rëndësinë e tyre për sensibilizimin e opinionit publik, por theksoi se protesta të tilla nuk përbëjnë një rrezik real për pushtetin.
Sipas tij, bëhet fjalë për protesta paqësore, të ngjashme me ato që zhvillohen në vendet nordike, të cilat shërbejnë për të ngritur zërin kundër një projekti apo vendimi të caktuar, por jo për të prodhuar ndryshime të mëdha politike.
Ish-ambasadori theksoi se kundërshtarët e projektit kanë ende në dispozicion mjete ligjore dhe demokratike për të çuar përpara kauzën e tyre. Sipas tij, mbledhja e firmave dhe zhvillimi i një referendumi do t’u jepte qytetarëve mundësinë të shprehen drejtpërdrejt për çështjen, pa qenë nevoja që reagimi të kufizohet vetëm te protestat në rrugë.
“Për mendimin tim, me protesta të tilla është e vështirë të ndikosh te politikanët shqiptarë. Kjo lidhet me mentalitetin dhe mënyrën se si është ndërtuar kultura jonë politike. Ka ende sjellje dhe qasje të trashëguara që vazhdojnë të ndikojnë në reagimin e politikës ndaj protestave. Unë mendoj se ende ekzistojnë instrumente juridike për ta çuar këtë çështje përpara. Organizatorët mund të mbledhin firmat e nevojshme dhe ta kalojnë çështjen në referendum. Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësinë të shprehen lirshëm dhe drejtpërdrejt, pa qenë nevoja të dalin vazhdimisht në protesta. Një referendum do të krijonte një presion juridik të detyrueshëm për çdo institucion. Madje, do ta vendoste qeverinë në një pozitë shumë më të vështirë sesa protestat e qytetëruara përpara Kryeministrisë, pavarësisht nëse aty mblidhen 30 mijë apo 3 mijë qytetarë.”- shprehet Gjoka.//dritare.net