Rama: Europa foli qartë për projektin në Zvërnec
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe zhvillimin e projektit në Zvërnec, duke iu referuar qëndrimit të Parlamentit Europian në raportin për Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se amendamenti i lidhur me këtë çështje nuk ka marrë mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve, ndërsa theksoi se Shqipëria vazhdon të vlerësohet pozitivisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë deklaroi se zona e Vjosë-Nartës dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të bazohet në një proces të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.
"Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë - Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar", shkruan Rama në rrjetet sociale./dritare.net

