Zbulimi i jashtëzakonshëm i arkeologut të njohur: Kur Odisea erdhi në brigjet shqiptare!
Dritare.net

Një prodhim i ri kinematografik nga Hollywood, me përmasa kolosale dhe një buxhet prej 250 milionë dollarësh, ka rikthyer vëmendjen globale te mitologjia antike dhe eposi i famshëm i Odisesë. Filmi "Odyssey", i cili mban vulën e regjisorit të njohur Christopher Nolan dhe prodhohet nga Universal Pictures, ka në kastin e tij yje të kalibrit botëror si Matt Damon në rolin e Odisesë, Anne Hathaway si Penelopa, Tom Holland si Telemaku dhe Lupita Nyong'o në rolin e Helenës së Trojës. Por përtej shkëlqimit të tapetit të kuq dhe arkëtimeve marramendëse prej 264 milionë dollarësh vetëm në fundjavën e parë, ky film mbart një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Në një intervistë në emisionin 'Dekalog' të drejtuar nga gazetari Roland Qafoku, akademiku dhe arkeologu i njohur Apollon Baçe ka analizuar praninë e thellë të elementëve kulturorë dhe historikë shqiptarë, të cilët janë gërshetuar mjeshtërisht në këtë vepër monumentale. Lidhja mes Hollywood-it dhe Shqipërisë në këtë film kalon përmes muzikës.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zgjedhur të inkorporojë në kolonën zanore të filmit iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt e fyellit tradicional, instrumentit të njohur si 'culja dyjare'. Akademiku Baçe thekson se kjo zgjedhje nuk është e rastësishme. Göransson, i cilësuar si një gjeni i muzikës moderne, udhëtoi drejt Shqipërisë, u takua me akademikun Vaso Tole dhe studioi në thellësi këtë thesar të trashëgimisë kulturore botërore të mbrojtur nga UNESCO. Sipas Baçes, polifonia shqiptare ofron një strukturë komplekse kontrapunkti, e ngjashme me fugat e Bach-ut, e cila arrin të përcjellë emocione të thella, nga dhimbja e vajtimit te magjia e natyrës.
Fakti që kompozitori zgjodhi traditën shqiptare dhe jo atë greke, tregon se elementët burimorë dhe autoktonë të lashtësisë kanë mbijetuar shumë më të paprekur në viset shqiptare. Por lidhjet nuk mbeten vetëm në rrafshin muzikor.
Gjatë bisedës me gazetarin Çafoku, profesori shpjegon rrugëtimin gjeografik dhe historik të Odisesë pas përfundimit të Luftës së Trojës. Përmes analizës së hartave antike, Baçe vërteton se Odiseja nuk u kthye drejtpërdrejt në Itakë. Ai kaloi peripeci të shumta, nga ishulli i Ciklopëve te përballja me përbindëshat Skila dhe Karibda në ngushticën e Mesinës, e deri te qëndrimi i tij në Mbretërinë e Thesprotisë, e cila shtrihej në territoret e Epirit, përballë Korfuzit, afër Igumenicës së sotme. Këto toka, të banuara nga fise epirote dhe ilire, kishin një kulturë të ndryshme nga ajo greke e kohës. Baçe thekson se Homeri, në epet e tij, ka përshkruar me saktësi zakonet, ritet e varrimit dhe ligjet e këtyre fiseve, sepse Itaka ishte në një afërsi të jashtëzakonshme gjeografike dhe kulturore me Epirin.
Një tjetër element i rëndësishëm i trajtuar në intervistë është analiza e personazheve dhe aktorëve. Baçe vlerëson lojën e Matt Damon si Odise, duke e konsideruar atë një aktor që shkrihet natyrshëm me personazhin kompleks, dinak dhe të mbijetesës që përfaqëson heroi antik. Megjithatë, për publikun shqiptar, Odiseja më i madh i ekranit mbetet Bekim Fehmiu, i cili e luajti këtë rol në vitin 1968. Profesor Baçe zbuloi një detaj prekës nga një takim i tij me Fehmiun: pengu më i madh i aktorit të ndjerë nuk ishin rolet e munguara në Hollywood, por fakti që nuk arriti kurrë të luante rolin e heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut.
Në fund të bisedës, u adresua edhe debati i vazhdueshëm mbi origjinën e shqiptarëve dhe studimet e fundit gjenetike (ADN) që pretendojnë se popullsitë indoevropiane shfarosën pellazgët e lashtë. Akademiku Baçe i hodhi poshtë këto përfundime duke i cilësuar autorët si diletantë që nuk njohin thellësinë e të dhënave arkeologjike. Ai mbron tezën e bashkëjetesës dhe asimilimit kulturor mes pellazgëve dhe ilirëve, duke theksuar se trashëgimia, onomastika dhe vetë doket e lashta provojnë një vazhdimësi të pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Ky emision shërbeu si një dritare e jashtëzakonshme për të kuptuar se si një mit antik, i rikthyer në jetë nga një makineri moderne si Hollywood, mban brenda vetes fije të pashkëputura të historisë dhe kulturës sonë kombëtare./K.C/dritare.net