Na ndiqni edhe në

Bota

Historike në BE/ Franca ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Franca është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Ligji u miratua të martën me shumicë dërrmuese nga parlamenti francez dhe pritet të hyjë në fuqi pas firmosjes nga Presidenti Emmanuel Macron.

Sipas Macron, ndalimi do të zbatohet që nga fillimi i vitit të ri shkollor. Ai e cilësoi ligjin si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e të miturve nga ndikimet e platformave digjitale.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë për t’u manipuluar, as nga platformat amerikane dhe as nga algoritmet kinezë”, është shprehur presidenti francez.

Ende nuk është bërë e ditur se si platformat do të verifikojnë moshën e përdoruesve, por qeveria franceze ka premtuar se do të vendosë mekanizma të posaçëm për kontrollin e moshës dhe zbatimin e ligjit.

Pas Australisë, e cila ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç vitin e kaluar, Franca bëhet vendi i parë në BE që vendos një kufi të tillë. Edhe Britania e Madhe, Spanja, Greqia dhe Danimarka po shqyrtojnë masa të ngjashme./K.C/dritare.net