Avokatët e Veliajt kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj: Motra e saj është në proces gjyqësor me Bashkinë Tiranë
Dritare.net

Avokatët mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj nga trupi gjykues që po shqyrton në themel çështjen penale ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, duke pretenduar se ka konflikt interesi.Sipas kërkesës së depozituar nga mbrojtja, motra e gjyqtares, Teuta Gjunkshi, është në një proces gjyqësor me Bashkinë e Tiranës, pasi është larguar nga puna. Sipas avokatëve, kjo çështje vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Në kërkesë thuhet gjithashtu se bashkëshorti i Teuta Gjunkshit, Xhemal Gjunkshi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe funksionar politik i kësaj force, ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj Erion Veliajt.
Mbrojtja argumenton se këto rrethana, të marra së bashku, përbëjnë arsye për përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj nga trupi gjykues, pasi, sipas saj, mund të krijojnë dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë e gjykimit./dritare.net