Fier/ 15-vjeçarja që dhunoi shoqen, ishte trajtuar në psikiatri: Nuk shkonte në shkollë prej 1 viti
Dritare.net

Detaje të reja janë zbuluar për njërën prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e 17-vjeçares në Fier, ngjarje e cila u filmua dhe u publikua në rrjetet sociale. Sipas të dhënave të bëra publike, 15-vjeçarja kishte marrë trajtim në Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në muajin maj, për shkak të problemeve të sjelljes dhe episodeve të dhunshme në familje.
Në raportin mjekësor thuhet se vajza kishte shfaqur sjellje agresive ndaj nënës dhe dëmtime të objekteve në banesë, ndërsa problemet e sjelljes ishin shfaqur prej rreth një viti. Gjithashtu, sipas raportit, ajo nuk frekuentonte shkollën prej një viti dhe qëndronte shpesh jashtë me persona më të rritur.
Mjekët kanë evidentuar se gjatë qëndrimit në spital vajza ka qenë bashkëpunuese me stafin dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa komunikimi me nënën është përshkruar si i vështirë.
Sipas të dhënave, 15-vjeçarja është larguar nga institucioni shëndetësor kundër këshillës mjekësore. Rasti i dhunës ndaj 17-vjeçares vijon të jetë nën hetim nga autoritetet./K.C/dritare.net

