Niki Vavacula përktheu mijëra shqiptarë, në gjyqet greke, pa ditur shqip!
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Kthehemi pas në kohë, nëntor 2003. Një mesazh telefonik dhe më pas një grua që më kërkoi të flas në telefon me djalin e saj. Mariglen quhej djali, jetonte në Selanik. Fola në telefon dhe ai më shpjegoi se ishte përkthyes part-time në gjykatën greke, por nuk kishte punë. Të gjithë punën e bënte një greke, ajo ishte përkthyesja e autorizuar në Gjykatë dhe vetëm ajo paguhej, vetëm ajo kishte punë.
Ajo quhej, Niki Vavacula!
Ishte përkthyesja e gjithë djemve që kishin përfunduar në burgjet greke. Ajo është aty duke i përkthyer në çdo gjyq. Por kishte një problem. Niki Vavacula nuk dinte shqip!
Jo thashë s’ka mundësi, mendova që Marigleni ishte një djalë i mërzitur që nuk pranohej si përkthyes zyrtar dhe nuk e besova në fillim. Marigleni ishte këmbëngulës dhe më tha që kjo ishte e vërtetë dhe se unë duhet të shkoja ta provoja. Nuk dija si do futesha unë në gjykatën greke, sepse nuk ishte aq e lehtë, po flasim për vitin 2003. Viza, probleme në kufi, lëre më të bëje një kamerë të fshehtë, apo të vije një greke me shpatulla pas murit. Ishte një kohë tjetër, ne kishim gjysmën e Shqipërisë që punonte aty, ne ishim me sytë nga Greqia. Marigleni qëlloi të ishte një djalë shumë i qartë dhe mjaft i mençur. Marigleni ishte forca shtytëse e këtij emisioni, na shoqëroi deri në gjykatë, por nuk na lejohej të xhironim brenda. Atëherë pritem derisa Niki Vavacula do dilte nga gjykata.
Nuk e harroj kurrë portretin e asaj gruaje në moshë. I mbaj mend ende syzet, vathet, kapelën e saj. I dola para duke i zgjatur mikrofonin dhe pyetur shqip. Nuk kuptoj, tha ajo greqisht. Ndaloi dhe vazhdoi të pyesë, unë i flisja shqip ajo fliste greqisht. Unë vazhdoja dhe këmbëngula disa herë, ajo donte të fliste por nuk mundej, e ngacmonte që ishte shqip. Në fund pranoi që nuk dinte shqip përveçse: vodha, jo vodha.
Është i jashtëzakonshëm ky moment, mua më dridhej zemra kur mbaroi. I thashë Mariglenit: “Ajo nuk dinte shqip, ti kishe të drejtë!”
E keni parasysh sa njerëz, djem të cilët u dënuan me vite të tëra, një pjesë dhe u dhunuan, përdhunuan e vdiqën në ato burgje, edhe për faj të Niki Vavacula. Minimumi, drejtësia greke nuk denjoi ta dëgjojë të vërtetën e tyre.
Po, ata mund të ishin fajtore, por është e drejta elementare e njeriut të dëgjohet, para se të shpallet i fajshëm.
Niki Vavacula nuk ua lejoi këtë mundësi. Sapo plasi skandali, atë e larguan në heshtje, por për mijëra viktima të saj nuk mori askush përgjegjësi. Ata djem e burra shqiptarë ishin viktima të drejtësisë greke, ose më mirë të themi, të padrejtësisë greke. Kjo është historia që m’u kujtua, ndërsa ata flasin në emër të drejtësisë, për gjyqin Beleri. Dosja Vavacula, që siç e quajti presidenti Meidani, atë kohë është dosja e parë e gazetarisë investigative në Shqipëri./dritare.net