Ministrja Koçiu: Çdo ndërtim pa leje do të prishet dhe ndëshkohet me gjobë
Dritare.net

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi sot se operacioni për vendosjen e ligjshmërisë mbi territor po vazhdon në të gjithë vendin dhe askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit.
Koçiu theksoi se kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen edhe me mosveprim të punonjësve publikë. Ajo paralajmëroi se çdo shfrytëzim i metrave katrorë mbi të lejuarat do të penalizohet me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme.
Ministrja bëri thirrje edhe tek qytetarët që të verifikojnë dokumentacionin e pronave përpara se të blejnë, duke shmangur mashtrimet dhe abuzimet.
Sipas Koçiu, të gjitha këto masa po zbatohen mbi bazën e paketës ligjore të miratuar në tetor, e cila ka forcuar mekanizmat e kontrollit dhe sanksionet ndaj çdo shkeljeje.
“Mbrojtja e territorit është angazhim kombëtar dhe nuk ka kthim pas, ashtu si rruga jonë europiane, që nuk mund të përshkohet me zaptime, gardhe apo ndërtime abuzive, por me rregull dhe respekt për hapësirën publike, si një e mirë e përbashkët për të gjithë,” deklaroi ministrja./L.F-dritare.net