Elon Musk drejt titullit të trilionierit të parë në botë
Dritare.net

Në një epokë ku pagat e drejtuesve ekzekutivë po arrijnë nivele rekord, aksionerët e Tesla-s miratuan me shumicë dërrmuese një paketë pagese prej 1 trilion dollarësh për të mbajtur Elon Musk në krye të kompanisë gjatë dekadës së ardhshme – ndërsa prodhuesi i makinave hyn në një fazë të re të përcaktuar nga bastet mbi inteligjencën artificiale.
Masa u përball me kundërshtime të pazakonta nga investitorë, këshilltarë dhe aktivistë që e cilësuan marrëveshjen “të tepruar dhe të pamerituar”, duke iu referuar angazhimeve të Muskut jashtë Tesla-s – përfshirë kohën e kaluar duke mbikëqyrur US DOGE Service – që sipas tyre ka dëmtuar imazhin e markës.
Megjithatë, Musk ka udhëhequr një transformim historik, duke e kthyer Tesla-n në kompaninë më të vlefshme të industrisë automobilistike dhe duke u bërë njeriu më i pasur në botë.
Pakoja e re e miratuar nga 75% e aksionerëve do t’i japë Muskut qindra miliona aksione të reja nëse arrin të rrisë vlerën e tregut të Tesla-s nga 1.4 trilionë në 8.5 trilionë dollarë, si dhe të vendosë në funksion një milion automjete vetëdrejtuese (Robotaxi).
Pavarësisht kritikave për madhësinë e pagesës, bordi i Tesla-s theksoi se kompania nuk mund ta përballonte humbjen e Muskut, duke e cilësuar atë “thelbësor për të ardhmen e kompanisë”.
Nëse arrin objektivat, Elon Musk mund të bëhet trilionieri i parë në histori, duke shënuar një moment të paparë në botën e biznesit dhe teknologjisë./L.F-dritare.net