Amerikanë dhe shqiptarë, bashkë në Luftë e në Paqe
Dritare.net

Nga Sali ONUZI*
Me rastin e 11 nëntorit, Ditës së Veteranit të Luftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Siç është e njohur gjerësisht në Shqipëri, me 11 nëntor Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtojnë, nderojnë dhe festojnë Ditën e Veteranit të Luftës. Ajo është një ditë e shënuar e sanksionuar me ligj, është ditë pushimi zyrtar, dhe ditë aktivitetesh te larmishme shtetërore dhe publike. Ajo tregon qartë se ç ‘vlerësim të lartë kanë shteti dhe populli amerikan për Veteranët e Luftës.
Kjo ditë ka dhe një histori të sajën: 11 nëntori është dita e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Prandaj kjo ditë e shënuar e fitores u kujtua në fillim më 1919 si ditë e armëpushimit dhe në vitin 1954 me një dekret të Presidentit, ajo u emërtua përfundimisht “Dita e Veteranit të Luftës’. Ajo është Ditë e veteranëve të të gjithë luftërave që janë zhvilluar në SHBA ose kanë zhvilluar ato nga Lufta për Pavarësi ( lufta revolucionare amerikane- 1775-1783), Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, deri në luftërat e ditëve të sotme.
Në këto luftëra kanë marrë pjesë disa milionë ushtarë, oficerë amerikanë e punonjës civil, burra dhe gra të të gjithë kombësive që përbëjnë SHBA. Në SHBA veteran është një person që ka shërbyer në forcat e armatosura. Sipas një informacioni të 14 prillit 2025 në SHBA kishte 15.8 milionë veteranë të luftës e të ushtrisë. Gratë përbejnë 11.6 përqind të tyre. Gratë kanë shërbyer për më shumë se dyqind vjet në ushtrinë amerikane. Të gjithë veteranët e Luftës e të Ushtrisë nderohen në këtë ditë. Që nga Presidenti i SHBA, qeveria, Kongresi, dhe shtetet e federuara, Forcat e armatosura, universitetet dhe shkollat ,planifikojnë dhe zhvillojnë veprimtari përkujtimore, homazhe, koncerte, lojëra sportive, ekspozita e deri ulje çmimesh etj. Ajo përkujtohet me nderim të madh edhe nga trupat amerikane që ndodhen aktualisht në shërbim të lirisë e të paqes jashtë vendit të tyre.
Veteranët e Luftës në SHBA kanë pasur gjithmonë një status të lartë në shtetin dhe shoqërinë amerikane. Ky status i ka fillimet e tij historike që më 1865 kur presidenti Lincoln bëri thirrjen e famshme për t’i trajtuar mirë Veteranet e Luftës. Ky status , i përcaktuar me ligje të veçanta për veteranët e çdo lufte, përfshin si vlerësimin e lartë moral të tyre, aspektin juridik dhe atë social-ekonomik e kulturor si për ata që janë gjallë, por edhe për pasardhësit e veteranëve të rënë në luftë. Ky ligj u jep ushtarakëve amerikanë mbështetje ligjore dhe përfitime të caktuara. Si për shumë aspekte të tjera të jetës shoqërore e politike, ligji amerikan për veteranët e Luftës ka qenë dhe është një model, të cilit i janë drejtuar shtetet dhe vendet demokratike perëndimore. Pas rënies së sistemit monist në Europën Lindore statusi i veteranit të Luftës u bë edhe këtu objekt i ligjvënësve dhe realitet.
11 nëntori përkujtohet si Ditë e Kujtimit edhe në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Komunuelthit Britanik me 1 minutë heshtje në orën 1100, ose duke mbajtur një lule të kuqe ose të bardhë në jakë. Vende të tjera demokratike kanë ditë të tjera për të përkujtuar e nderuar veteranët e Luftës ose të rënët e tyre në Luftëra.
Shqiptarët i lidh më këtë datë së pari roli i madh që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara dhe veteranët e tyre në rojë të lirisë dhe të paqes në shekuj , dekada e vite. Por na lidhin edhe qindra djem e vajza shqiptare e me origjinë shqiptare ,që si qytetarë të këtij vendi të madh, kanë qenë efektiv të Ushtrisë Amerikane në luftëra, sidomos në Luftën e Parë dhe të dytë Botërore dhe mbi të gjitha në luftën për Çlirimin e Kosovës. Është tanimë aq e njohur dhe simbolike pilotja amerikane me origjinë shqiptare Faruza Haki Kallaba që mori pjesë në bombardimet 78 ditore në Serbi, uniforma ushtarake e së cilës ndodhet sot në një Muze të Kosovës. Ose shembulli i një batalioni vullnetarësh të shqiptarëve të Amerikës me emërtimin “ Atllantik” që erdhi nga përtej Oqeanit dhe u fut në luftime si pjesë përbërëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato ishin vazhdim i përvojës dhe traditës së shqiptarëve të Amerikës të cilët erdhën për të luftuar në Shqipëri pas fitores së Pavarësisë. Na lidh edhe kontributi i 13 oficerëve të misioneve amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Simbol i kësaj lidhje u bë kapiteni Tomas Stefani, djalë i një shqiptari nga Korça, që kish ndërprerë studimet universitare dhe erdhi si shef i ndërlidhjes amerikane pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. I bukur, i zgjuar, me një shqipe të qartë, Tomas Stefani u mirëprit edhe nga partizanët e thjeshtë shqiptarë. Për shkak të lidhjes me udhëheqësit e Ushtrisë NÇ ( Enver Hoxha disa herë e mbante afër vetes në mbledhje) ngjalli edhe xhelozinë e oficerëve britanikë në Shqipëri. Tomas Stefani mori pjesë edhe në Kongresin e Përmetit, punimet e të cilit i ndoqi me vëmendje dhe për të cilat hartoi një raport, me të cilin fitoi shumë pikë në Shtabin aleat në Kajro.( siç dihet britanikët, me një akt kontravers, nuk iu përgjigjën ftesës së Këshillit ANÇ shqiptar për të marrë pjesë në këtë Kongres te madh antifashist nacionalçlirimtar). Madje Tomas Stefani u martua edhe me një shqiptare të Tiranës që e mori me vete në SHBA.
Na lidh gjithashtu kontributi i pilotëve amerikanë të Aviacionit aleat që realizuan në territorin shqiptar disa sulme kundër forcave gjermane, kundër autokolonave dhe garnizoneve të fortifikuara si në Tiranë e Dibër, ose ai pilotëve të avionëve “ Dakota” qaë sillnin furnizime në Shqipëri për Luftën.
Me veteranët amerikanë na lidhe edhe shpëtimi në Shqipëri i 30 ushtarakëve amerikanë të mjekësisë (nëntor 1943-9 janar 1944), të cilët ranë aksidentalisht ne Çestije të Elbasanit dhe për 68 ditë nëpër Shqipëri nga Berati në Skrapar, në Korçë, në Përmet e Gjirokastër kaluan në bregdetin e Vlorës ku në gjirin e Gjongjilekës u imbarkuan në një anije britanike për në Bari.
Kudo grupi i amerikanëve qe pritur dhe ndihmuar miqësisht, duke sakrifikuar e vënë edhe jetën në rrezik ( gjermanët i kërkonin dhe digjnin shtëpitë që i kishin strehuar). Për ta ishte njoftuar Presidenti amerikan Ruzvelt që kish urdhëruar të gjendeshin dhe shpëtoheshin për më tepër që 13 prej tyre ishin vajza infermiere ushtarake me gradë nëntogere. Për këtë rast, komandanti amerikan i Lindjes së Afërme, gjenerali R.Roi shkroi nje telegram falënderimi për popullin shqiptar. Me rastin e 80 vjetorit të Çlirimit, "Dritare TV" me producente Rudina Xhungën realizoi dokumentarin “Në besë të shqiptarëve” kushtuar pikërisht shpëtimit të grupit të ushtarakëve amerikanë në Shqipëri, përurimi i të cilit u bë në Kryeministri në prani të kryeministrit Rama, ish-Presidentit Moisiu, ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, përfaqësuesve të Ambasadës amerikane, pjesëtarëve të familjeve që pritën, strehuan e shpëtuan grupin e ushtarakëve amerikanë dhe plot të ftuar.
Odiseja e tyre drejt lirisë në Shqipëri është bërë pas lufte objekt e subjekt i medias, i letërsisë , kinematografisë , botimeve, vlerësimeve të larta. Disa prej tyre prehen në varrezat kombëtare në Arlington. Me popullin shqiptar veteranët amerikanë të luftës i lidh përjetësisht kontributi i tyre i madh në Çlirimin e Kosovës që nga gjenerali i madh Wesli Clark, nga diplomati trim Willian Worker , te pilotët dhe ushtarakët që u angazhuan kundër ushtrisë pushtuese serbe. Ushtarakët e SHBA edhe sot janë efektivë të KFOR në Kosovë në bazën e tyre të madhe “Bonsfilld”. Siç janë të pranishëm në Shqipëri në stërvitjet e NATO-s.
Edhe në Shqipëri e Kosovë vitet e fundit festohet Dita e Veteranit të Luftës Nacionalçlirimtare (në Shqipëri) dhe e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë. Kuvendi i Shqipërisë më 2019, caktoi datën 20 korrik si Ditë të Veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,( datë e krijimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës më 1957), kurse në Kosovë kjo ditë është caktuar me 30 dhjetor, si dita e 30 dhjetori 1991 të ndeshjes e të fitores së parë të Adem Jasharit kundër forcave serbe.
Më parë në Shqipëri pas Çlirimit për 47 vjet (1945-1992) gjithë populli dhe shteti përkujtonin e nderonin veteranët e Luftës dhe të Ushtrisë më 10 korrik, e përcaktuar atëherë si dita e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e Ushtrisë Popullore.
Dy nga Veteranët e Luftës se Dytë Botërore që kanë luftuar në Shqipëri ( Agnes Jensen Marhgarich dhe Lloyd Smith) kanë qenë në vitet 1995-6 për vizita, janë pritur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe janë takuar e kanë biseduar më veteranë të Luftës, madje kanë vizituar edhe vendet ku kishin qenë në kohën e Luftës së Dytë Botërore.Mikpritja e tyre ka qenë tipike shqiptare. Agnes Jensen 83 vjeçe iu thoshte vajzës dhe djalit të saj që e shoqëronin, se Shqipëria është atdheu im i dytë. Menjëherë pas vizitës këtu, ajo botoi në SHBA kujtimet e saj për kohën e Luftës në Shqipëri. E ftuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, William Perry në 50 vjetorin e Planit “Marshall” ajo ishte mrekulluar kur Sekretari i përmend emrin e saj si Veterane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe si një Veterane e Luftës se Popullit shqiptar, dhe i tregonte sallës, që duartrokiste, Librezën e Nderit të Veteranes së Luftës Nacionalçlirimtare që i kishte akorduar Ministria e Mbrojtjes se Shqipërisë. Një përmbledhje e kujtimeve të Agnes Jensen për “ aventurën shqiptare” është përfshirë në një botim prestigjioz amerikan ku janë botuar kujtimet e heronjve të mëdhenjtë të SHBA në Luftën e Dytë Botërore, së pari të Presidentit Geoge Bush, ish pilotit Hero të kësaj Lufte.
Ndërsa Lloyd Smith, ish-kapiten i zbulimit amerikan në Himarë më 1943-44, në njërën nga shtëpitë e kohës së luftës tregoi se aty i kishte shkrehur pa dashje në tavan një armë që ia kish dhënë për ta parë i zoti i saj. Po , i tha mikpritësi shqiptar, ja tek është vrima e plumbit. E kishin ruajtur për 52 vjet. Atëhere Smith ngrihet në këmbë e përqafon të zotin e shtëpisë i përmalluar. Kur u kthye ne Tiranë thoshte se tani u binda që më keni çuar tamam në shtëpitë ku kam qenë në kohë të luftës.
Dua të kujtoj edhe vizitën e delegacionit të Departamentit të SHBA për Çështjet e veteranëve të Luftës ( ai është një ministri si gjithë ministritë e tjera të kabinetit me një buxhet kolosal) në vendin tonë. Ata kishin kaluar në gjithë vendet e Europës lindore për të dhënë përvojën e tyre për veteranët e Luftës. Të prirë nga drejtoresha e Washingtonit ata u pritën në Ministrinë e Mbrojtjes ku u njohën me ligjin për Statusin e veteranit të Luftës dhe me praktikat e procedurat për dhënien e tij. Që ato ditë u vendosen lidhje të rregullta me Departamentin e SHBA për Çështjet e Veteranëve të Luftës.
Me këtë ditë të shënuar të 11 nëntorit, Veteranët e Luftës ANÇ të popullit shqiptar dhe pasardhësit e tyre, po edhe gjithë populli shqiptar, kujtojnë me respekt Veteranët Amerikanë të Luftës dhe kontributin e madh të tyre për SHBA e Botën dhe veçanërisht për Shqipërinë e Kosovën dhe iu urojnë atyre jetë të gjatë e shëndet!
*Kolonel, Drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës në Ministrinë e Mbrojtjes më 1995-2001