Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja në Sarandë/ Policia zbardh dinamikën: Ja kush janë 6 personat e përfshirë!

Vrasja në Sarandë/ Policia zbardh dinamikën: Ja kush janë 6

Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, ka zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Qafë Gjashtë të Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili.

Sipas Policisë, konflikti nisi në lokalin në pronësi të viktimës, në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, ku një grup personash janë përfshirë në një sherr të dhunshëm me sende të forta. Të përfshirë në konflikt rezultojnë shtetasit Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla.

Nga hetimet paraprake rezulton se gjatë përplasjes, viktima ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt. Më pas, dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 66-vjeçarit, i cili humbi jetën në vendngjarje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur në këmbë edhe Kostandin Vogli, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia bëri të ditur se pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga vendi i krimit. Ndërkohë, vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, dyshohet se ka fshehur armën automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u sekuestruan nga uniformat blu.

Gjatë kontrolleve, Policia gjeti dhe bllokoi një automjet tip “Audi Q8”, si dhe një tjetër automjet “Audi”, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Po ashtu, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar autori.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia shpalli në kërkim Lulzim Tabaku për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ndërsa Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla po hetohen për “Kanosje” dhe “Shkatërrim prone”.

Policia e Vlorës deklaroi se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim./K.C/dritare.net