Na ndiqni edhe në

Bota

Mbahet samiti G7 në Francë/ Trump takon liderët botërorë, zbulon detaje nga marrëveshja me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë detaje të reja mbi marrëveshjen e arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve.

Duke folur gjatë samitit të G7 në Francë, Trump deklaroi se një nga pikat kryesore të marrëveshjes është garantimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.

Sipas tij, ngushtica do të mbetet e hapur për trafikun ndërkombëtar dhe kalimi nëpër të do të kryhet pa tarifa shtesë.

“Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur pa pagesa”, deklaroi Trump, duke shtuar se marrëveshja synon stabilizimin e rajonit dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu qëndrimin e Uashingtonit lidhur me programin bërthamor iranian, duke theksuar se “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

Komentet e Trump konsiderohen ndër deklaratat e tij më të forta në javët e fundit dhe vijnë në një kohë kur raportet mes tij dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu janë përshkruar si të tensionuara. Gjatë fjalës së tij, Trump kritikoi edhe Izraelin për qëndrimin ndaj Libanit, duke sinjalizuar mosmarrëveshje të hapura me qeverinë izraelite për zhvillimet në rajon.

Njoftimi për arritjen e marrëveshjes u bë fillimisht nga Pakistani, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit në negociata. Autoritetet pakistaneze deklaruan të dielën se SHBA-ja dhe Irani kishin arritur një marrëveshje, megjithëse detajet e plota të saj nuk janë bërë ende publike.

Ndërkohë, zyrtarë të administratës Trump konfirmuan të hënën se dokumenti është nënshkruar tashmë në mënyrë elektronike nga të dyja palët. Një ceremoni zyrtare për formalizimin e marrëveshjes pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës gjatë kësaj jave.

Zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës ka vijuar rënien, me një fuçi që ka zbritur nën nivelin e 80 dollarëve për herë të parë që nga fillimi i muajit mars, ndërsa investitorët po reagojnë pozitivisht ndaj perspektivës së uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme.

Analistët vlerësojnë se marrëveshja mund të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm në sigurinë rajonale, por edhe në ekonominë globale, duke reduktuar rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Gjiri Persik./K.C/dritare.net