Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama publikon videon dhe deklaratën e Unionit të Gazetarëve: Protestuesit rrahën shoferin që nuk i ra borisë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga protestat e ditëve të fundit, duke i shoqëruar me deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Rama ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si frymë bullizuese dhe agresive në protestë, ndërsa vlerësoi thirrjen e Unionit kundër sulmeve dhe linçimit të gazetarëve.

Postimi i plotë:



Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, përveç rasteve kur ka bërë deklarata negative për qeverinë!

Por deklaratën bashkëngjitur të Unionit po e postoj, sepse lidhet me të vërtetën më të rëndësishme dhe më shqetësuese të protestës së javëve të fundit: Frymën fashiste të një numri të madh bullistash online, e cila është fryma dominuese e protestës, që materializohet edhe në turmën bullizuese të marshuesve nëpër rrugë. Në video janë pikërisht këta të fundit, që kanë rrahur mbrëmë drejtues automjetesh pse nuk i binin burisë, sipas urdhrit të këtij grupi çakejsh me dy këmbë.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë*

Gjuha denigruese, sulmet dhe agresioni verbal ndaj gazetarëve nga individe në protesta dhe sidomos në rrjetet sociale, perben një akt kriminal publik

Tiranë më 16 Qershor 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është në mbështetje dhe vlerësues për protestat e lira qytetare të këtyre dy javëve të fundit. Ne jemi vlerësues të mënyrës se si protestohet dhe të lirisë së shprehjes që mishërohet, në shumë raste aq dinjitetshëm, nga fjalimet e shumë qytetarëve dhe intelektualëve.

Kjo është një lëvizje që shëndosh demokracinë në shoqërinë shqiptare të cilën kahet e politikës e mbajnë në statusin e “demokracisë hibride”. Ndërkohë që kjo lëvizje dhe protestat e deritanishme sipas pikëpamjes sonë, po shënojnë një kontribut për një Shqipëri europiane, për një shoqëri që meriton të gjitha liritë dhe sidomos nxjerrjen e sistemit të kapur nga status quoja ku e mbajnë dy kahet e politikës.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në të njëjtën kohë është shumë i shqetësuar nga aktet individuale të linçimit të disa gazetarëve që ndajnë mendime dhe qëndrime të ndryshme publike për çështjet, aktorët politikë dhe analizat e tyre.

Demokracia ka përmbajtje pluralizmin dhe kur ai është i plotë, ajo nuk është më “hibride”.

Linçimi i gazetarëve nga grupe ta caktuara anonimësh, nga aktivistë fanatikë të partive apo udhëheqësve politikë, nga persona agresivë e fanatikë rrymash, grupesh kriminale e interesi, nga individë të kriminalizuar në mendje dhe ndërgjegje si dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj tyre, është një akt anticivil, akt kriminal dhe meriton të ndëshkohet.

Nga ndjekja që pjestarë të UGSH-së u kanë bërë këtyre ditëve akteve të tilla sulmuese, fyese, përçmuese, etiketuese dhe bullizuese nëpër meme, rrjete sociale dhe hapësirën virtuale në përgjithësi, na rezulton se janë mbi 20 gazetarë të njohur, me karrierë të gjatë dhe kontribut në skenën mediatike të vendit që po përballen me agresion të tillë pothuajse çdo ditë. Urretja dhe patologjia verbale e shumë komentonjësve, reaguesve dhe individëve patologjikë shkaktojnë turmëzimin virtual të cilët sulen të kryqëzojnë dhe ndotin imazhin e gazetarëve.

UGSH bën thirrje të ndalen kësi kryqëzatash virtuale. Organet e sistemit të investigimit dhe ndjekjes së krimit kibernetik pranë Policisë së Shtetit dhe prokurorive duhet të vihen në lëvizje dhe të marrin masa ndaj rasteve më flagrante dhe personave më të identifikuar në kësi sulmesh dhe agresionesh ndaj gazetarëve. Vetë gazetarët të denoncojnë dhe padisin individë të tillë në këto organe. Ky agresion vihet re se dimensionohet negativisht pothuajse përditë dhe shfaqet i pa fre.

UGSH u bën thirrje të gjithë kolegëve që ndaj kësi rastesh, në një akt të përbashkët solidar, të nisim fushatën e denoncimit publik të këtyre aktivistëve antigazetarë, ndaj agresorëve të tillë virtualë dhe grupeve mbështetëse të tyre, sikundër apelojmë që çdo gazetar t’u drejtohet kompanive të rrjeteve sociale për bllokimin dhe penalizimin e këtyre llogarive dhe emrave në rrjetet sociale që abuzojnë me lirinë dhe përdhosin çdo normë etike. Hapësira virtuale dhe mundësitë e rrjeteve sociale janë të pakontrollueshme, por ekzistojnë mekanizma dhe mundësohet një forcë reagimi që të reduktohen ndotjet virtuale, aktet diskriminuese dhe përdhosjet ndaj individëve apo kategorive profesionale, të cilët kryejnë një mision publik në realitetin e diversitetit shoqëror e politik.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë", thuhet në postimin e Ramës./K.C/dritare.net