Na ndiqni edhe në

Bota

Tensione në Kanalin Anglez, anija luftarake ruse hap zjarr ndaj jahtit britanik

Një incident i pazakontë detar është regjistruar të martën në Kanalin Anglez, ku një anije luftarake ruse hapi zjarr paralajmërues pranë një jahti të Mbretërisë së Bashkuar, pasi të dy mjetet lundruese iu afruan njëra-tjetrës në kushte të vështira moti. Ngjarja përfshiu fregatën ruse "Admiral Grigorovich" dhe ndodhi mes Ishullit të Wight dhe brigjeve të Normandisë, pak para mesditës.

Sipas informacioneve paraprake, jahti i vogël, pa motor dhe me dy persona në bord, kishte dalë nga brigjet britanike, por për shkak të mjegullës kishte devijuar drejt anijes ushtarake ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se jahti po kryente një “afrim të rrezikshëm” ndaj fregatës. Sipas Moskës, ekuipazhi rus kishte tentuar disa herë të kontaktonte mjetin përmes radios dhe kishte lëshuar sinjale paralajmëruese, përpara se të qëllonte me armë zjarri në drejtim të trajektores së jahtit.

Autoritetet ruse theksuan se veprimet e marinarëve u kryen “në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare të lundrimit”.

Nga ana tjetër, Ministria britanike e Mbrojtjes ka nisur hetime për incidentin. Burime qeveritare britanike thanë se në bord të jahtit ndodhej një çift rreth të 60-ave, të cilët nuk kishin dëgjuar sinjalet akustike të anijes ruse. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale.

Pas ngjarjes, një mjet nga anija patrulluese britanike HMS Tyne u dërgua në vendngjarje për të verifikuar rrethanat dhe për të kontrolluar gjendjen e ekuipazhit të jahtit.

Incidenti ndodh vetëm pak ditë pasi forcat britanike ndaluan një cisternë të “flotës fantazmë” ruse në Kanalin Anglez, e dyshuar për transportimin e naftës nën sanksione. Megjithatë, zyrtarët britanikë nuk besojnë se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Fregata "Admiral Grigorovich" ishte duke u monitoruar nga Marina Mbretërore britanike, e cila prej ditësh po ndjek lëvizjet e saj në ujërat ndërkombëtare të Kanalit Anglez.

Ekspertët ushtarakë kanë vlerësuar se reagimi i anijes ruse mund të ketë qenë i tepruar. Ish-zëvendësadmirali i Marinës Mbretërore, James Parkin, deklaroi se përdorimi i forcës së armatosur konsiderohet masa e fundit dhe duhet të rezervohet vetëm për raste vetëmbrojtjeje. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te prania në rritje e anijeve ushtarake ruse në Kanalin Anglez dhe tensionet e vazhdueshme mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s në rajon./K.C/dritare.net