Shqipëria merr drejtimin e rrjetit global të Agroturizmit!
Dritare.net

Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në zhvillimin e agroturizmit ndërkombëtar, duke marrë për herë të parë drejtimin e Rrjetit Global të Agroturizmit (Global Agritourism Network – GAN), organizatës më të rëndësishme ndërkombëtare që promovon bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.
Vendimi u mor gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Agroturizmit, të organizuar nga Scottish Agritourism dhe GAN, ku morën pjesë rreth 550 delegatë nga 55 vende të botës. Kjo e shndërroi ngjarjen në një nga forumet më të rëndësishme globale të agroturizmit.
Në këtë forum ndërkombëtar, Shqipëria jo vetëm që ishte pjesëmarrëse, por iu besua edhe drejtimi i rrjetit global. Ky zhvillim dëshmon vlerësimin në rritje për përvojën, potencialin dhe kontributin e vendit tonë në këtë fushë, duke krijuar mundësi të reja për fermerët, sipërmarrjet rurale dhe zhvillimin lokal.
Në krye të Rrjetit Global të Agroturizmit u zgjodh Prof. Shpresim Domi, në vlerësim të angazhimit dhe kontributit të tij shumëvjeçar në zhvillimin e agroturizmit, promovimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit rural dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor. Prof. Domi ka qenë një nga zërat më të angazhuar në mbështetje të kësaj kategorie dhe të sipërmarrësve të agroturizmit, duke kontribuar vazhdimisht në rritjen e vizibilitetit të tyre dhe në promovimin e potencialit që ky sektor ka për ekonominë rurale.
Ky përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për agroturizmin shqiptar, por edhe për mënyrën se si Shqipëria prezantohet në arenën ndërkombëtare. Nga një vend pjesëmarrës, Shqipëria tashmë merr një rol udhëheqës në përcaktimin e vizionit dhe prioriteteve të zhvillimit global të agroturizmit./dritare.net