Moti i paqëndrueshëm nga sot, shi dhe ulje temperaturash në gjithë vendin
Dritare.net

Këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit, ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri dhe të lartë.
Hera-herës reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në zonën e Alpeve dhe lartësitë mbi 1500 metër në verilindje reshje të dobëta dëbore.
Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era me shpejtësi deri në 17 m/s.
Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 2-4 ballë./dritare.net