Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BBC: Si po ringjallet kuzhina shqiptare falë gjysheve

BBC: Si po ringjallet kuzhina shqiptare falë gjysheve

Pas dekadash izolimi ekstrem dhe emigrimi masiv, Shqipëria po rizbulon rrënjët e saj kulinare përmes një brezi të pazakontë shefesh: gjysheve. Gratë e moshuara, dikur të heshtura nga regjimi komunist dhe nga varfëria, sot janë kthyer në ruajtëset më të rëndësishme të traditës shqiptare të gatimit.

Një ndër figurat më të njohura është Tefta Pajenga, 76 vjeçe, ish-mësuese dhe sot shefe kuzhine në televizion. Në emisionin e saj kombëtar, ajo u mëson brezave të rinj si të gatuajnë japrakë, një nga gatimet më të dashura shqiptare, që përgatitet në familje dhe ndahet mes fqinjëve në festa si myslimane ashtu edhe të krishtera.

BBC: Si po ringjallet kuzhina shqiptare falë gjysheve

Kuzhina shqiptare ka kaluar dy kriza të rënda gjatë shekullit të fundit. E para gjatë regjimit komunist (1946–1991), kur librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u bllokuan dhe ushqimi u kolektivizua. Mungesat ishin të përditshme dhe shumë receta tradicionale u zhdukën.

Kriza e dytë erdhi pas rënies së komunizmit, kur rreth 710 mijë shqiptarë u larguan nga vendi midis viteve 1989–2001. Në emigrim, shumë prej tyre harruan gatimet e gjysheve. Ndërkohë, ata që mbetën në Shqipëri nuk kishin më kohë të gatuanin për shkak të nevojës për shumë punë për të mbijetuar.

BBC: Si po ringjallet kuzhina shqiptare falë gjysheve

Tradita që mbijetoi në heshtje

Pavarësisht gjithçkaje, disa receta mbijetuan falë grave si Gjyste Bici nga Alpet Shqiptare dhe Dallëndyshe Xhahysa, 91 vjeçe, e cila ruajti me kujdes recetat e trashëguara deri në kohët e sotme. Nën komunizëm, gatimet për festa fetare përgatiteshin fshehurazi.

“Gatuanim hallvë me dritaret e mbyllura që aroma të mos na tradhtonte,” kujton Xhahysa. Nëse zbuloheshin, rrezikonin kampe riedukimi ose punë të detyruara.

BBC: Si po ringjallet kuzhina shqiptare falë gjysheve

Televizioni dhe rrjetet sociale: rikthimi i recetave

Pas viteve ’90, me hapjen e kufijve dhe fundin e censurës, gjyshet shqiptare filluan të shfaqen në televizione për të rikthyer recetat e harruara. Emisione të tilla si “E Diela Shqiptare” apo “Histori Shqiptare” nisën të ringjallnin gatime si flia, lakrori, byreku dhe fërgesa.

Sot kjo trashëgimi po kalon në TikTok dhe Instagram, ku të rinjtë ndjekin recetat e gjysheve me miliona shikime.

Kuzhina tradicionale si identitet kombëtar

Shefi i njohur Bledar Kola, i formuar në restorante prestigjioze të Evropës, u kthye në Shqipëri për të modernizuar kuzhinën tradicionale. Në restorantin e tij në Tiranë, Mullixhiu, ai shërben receta të vjetra shqiptare të interpretuara në mënyrë moderne.

Ai po hap gjithashtu një restorant të ri në Gjirokastër, ku recetat do të bazohen drejtpërdrejt te gatimet e gjysheve të jugut të Shqipërisë.

Ndërkohë, po përgatitet edhe një “enciklopedi ushqimore” me mbi 7,000 përbërës dhe receta shqiptare, për të ruajtur përgjithmonë këtë pasuri.

Sot, falë grave që dikur gatuan në heshtje dhe në frikë, kuzhina shqiptare po përjeton një rilindje. Recetat e dikurshme po rikthehen në tavolina, restorante dhe rrjete sociale – jo thjesht si ushqim, por si identitet.

Falë gjysheve, shija e Shqipërisë po rikthehet./L.F-dritare.net