Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata Kushtetuese shqyrton ankimin e qeverisë për pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese shqyrton ankimin e qeverisë për pezullimin e

Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot në seancë paraprake për të shqyrtuar ankimin e qeverisë lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Sot pritet të vendoset nëse ankimi i qeverisë do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare. Po ashtu, gjykata mund të marrë vendim edhe mbi kërkesën e qeverisë për pezullimin e përkohshëm të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes.

Kujtojmë se GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të Ballukut, si dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Pas këtij vendimi, kryeministri Edi Rama vendosi të mos e shkarkojë atë nga funksionet e saj, por t’i heqë të drejtën e firmës, duke iu drejtuar njëkohësisht Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria kërkon zgjidhjen e asaj që e quan “mosmarrëveshje kompetencash” mes pushtetit ekzekutiv dhe GJKKO-së, si dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Në ankim, sipas burimeve, argumentohet se një anëtar i qeverisë gëzon imunitet të ngjashëm me atë të deputetit dhe se, nëse ligjërisht nuk mund të pezullohet nga detyra një deputet me vendim gjykate, e njëjta gjë nuk duhet të vlejë as për një ministër. Sipas qeverisë, vendimi i GJKKO-së përbën ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Nga ana tjetër, GJKKO ka vendosur masën e pezullimit në kuadër të hetimeve për procedurat e tenderit të Tunelit të Llogorasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe, ku sipas prokurorisë dyshohet për paracaktim të fituesve. SPAK ka bërë me dije se po heton edhe procedura të tjera prokurimi të lidhura me këtë çështje.

Vendimet e sotme të Gjykatës Kushtetuese pritet të jenë përcaktuese për vijimin e kësaj çështjeje institucionale./L.F-dritare.net