Na ndiqni edhe në

Shëndet

Truri ynë po “zien”! Si po ndikon nxehtësia ekstreme në shëndetin neurologjik!

Truri ynë po “zien”! Si po ndikon nxehtësia ekstreme


Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten dhe valët e të nxehtit bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të forta, shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë një pasojë më pak të dukshme të krizës klimatike: ndikimin e saj në trurin e njeriut. Ajo që dikur mund të dukej si një shqetësim i largët për të sëmurët kronikë, tani po shfaqet si një rrezik në rritje për të gjithë.

Një nga rastet që ilustron më mirë këtë fenomen është ai i Jake, një djalë i vogël që pësoi krizën e parë epileptike kur ishte vetëm pesë muajsh. Familja e tij kujton se gjithçka nisi në një ditë përvëluese vere dhe që atëherë, çdo valë të nxehti e lidhin me frikën e rishfaqjes së krizave. Më vonë, Jake u diagnostikua me sindromën Dravet – një sëmundje neurologjike e rrallë që përfshin forma të rënda të epilepsisë dhe që përkeqësohet dukshëm nga nxehtësia dhe ndryshimet e menjëhershme të temperaturës.

Neurologu Sanjay Sisodiya nga University College London, një ndër studiuesit kryesorë të ndikimit të klimës te truri, thotë se ky nuk është një rast i izoluar. Në punën e tij me pacientët epileptikë, ai ka dëgjuar shpesh që simptomat e tyre përkeqësohen gjatë periudhave të nxehta. Ai thekson se shumë sëmundje neurologjike – përfshirë goditjen në tru, sklerozën multiple, migrenën, encefalitin – janë më të shpeshta ose më të rënda kur temperaturat janë të larta dhe lagështia rritet.

Nxehtësia dhe truri: një marrëdhënie delikate

Truri është një nga organet më energji-kërkuese në trupin e njeriut, dhe vetë aktiviteti i tij prodhon nxehtësi. Për këtë arsye, trupi ka një sistem kompleks për ta ftohur atë përmes qarkullimit të gjakut. Por ky mekanizëm është i ndjeshëm ndaj jashtëqitjeve ekstreme të motit. Temperaturat shumë të larta mund të ndërhyjnë në funksionimin e neuroneve dhe në molekulat që përçojnë sinjalet mes tyre.

“Nuk e kuptojmë ende plotësisht se si ndërveprojnë të gjitha këto elemente”, thotë Sisodiya, “por mund ta imagjinojmë si një orë që nuk punon më siç duhet kur një nga pjesët del jashtë funksionit”.

Ndërkohë që nxehtësia ndikon në aftësinë vendimmarrëse dhe sjelljen edhe te njerëzit e shëndetshëm, ata me sëmundje neurologjike janë edhe më të rrezikuar. Në disa raste, aftësia për të djersitur, pra për të rregulluar temperaturën e trupit është e dëmtuar. Disa barna psikiatrike dhe neurologjike gjithashtu ndërhyjnë në këtë proces, duke e bërë individin më të ndjeshëm ndaj goditjes nga nxehtësia.

Truri ynë po “zien”! Si po ndikon nxehtësia ekstreme

Pagjumësia, lodhja, agresiviteti dhe rreziku për jetën

Valët e të nxehtit ndikojnë edhe në ciklin e gjumit, veçanërisht kur netët janë shumë të ngrohta. Kjo gjë shkakton pagjumësi, lodhje dhe përkeqësim të humorit. Te pacientët me epilepsi, mungesa e gjumit mund të nxisë kriza. Te personat me demencë, rritet ndjeshëm rreziku për komplikime – qoftë për shkak të pamundësisë për të kuptuar se janë në rrezik, qoftë për shkak të paaftësisë për të ndërmarrë veprime të thjeshta si mbyllja e dritareve apo qëndrimi brenda në pikun e vapës.
Një tjetër pasojë serioze është rritja e rasteve të goditjes në tru. Një studim ndërkombëtar mbi të dhënat e vdekjeve nga goditjet ishemike në 25 vende tregoi se në ditët më të nxehta kishte dy vdekje shtesë për çdo 1000 raste. Kjo shifër, në një kontekst global ku ka rreth 7 milionë vdekje nga goditjet në vit, mund të përkthehet në mbi 10,000 humbje jete për shkak të nxehtësisë.

Më e goditura pritet të jetë pjesa më e varfër e botës, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku goditjet në tru janë më të shpeshta dhe sistemet shëndetësore më të brishta. Nxehtësia, pra, nuk është vetëm një çështje mjekësore, por edhe sociale dhe ekonomike.

Fëmijët dhe nënat shtatzëna: një brez i rrezikuar

Shkencëtarët kanë zbuluar se nxehtësia ekstreme ndikon edhe te gratë shtatzëna dhe fëmijët që nuk kanë lindur ende. Një analizë e disa studimeve ka treguar se gjatë valëve të të nxehtit, rritet me 26% rreziku për lindje të parakohshme, një faktor që lidhet më vonë me vonesa në zhvillimin mendor dhe probleme njohëse.


Profesoresha Jane Hirst nga Imperial College London thotë se edhe pse ka shumë për të mësuar ende, ndikimi i klimës te zhvillimi neurologjik i fëmijëve është një alarm serioz për të ardhmen. “Ka 130 milionë lindje në vit dhe shumë prej tyre ndodhin në vende me klimë të nxehtë. Duhet të kuptojmë pse ndikon tek disa dhe jo tek të gjithë,” thotë ajo.

Truri ynë po “zien”! Si po ndikon nxehtësia ekstreme

Një botë më e nxehtë, një tru më i rrezikuar

Rritja e temperaturave mund të dëmtojë edhe barrierën mbrojtëse të trurit, duke e bërë më të përshkueshme nga toksinat, bakteret apo viruset. Rritja e temperaturave po ndihmon gjithashtu zgjerimin e zonave ku jetojnë mushkonjat që transmetojnë viruse si Zika, Chikungunya apo Dengue, sëmundje që mund të shkaktojnë pasoja të rënda neurologjike.
Temperatura e trupit dhe ajo e ambientit mund të ndikojnë edhe në stabilitetin e barnave neurologjike. Për shembull, disa ilaçe mund të bëhen më pak efektive ose të rrezikshme në kushte të nxehta. Në të njëjtën kohë, stresi i përhershëm nga kriza klimatike mund të rrisë ankthin, depresionin dhe madje edhe riskun për vetëvrasje.

“Shumë nga efektet që shohim sot tek njerëzit me sëmundje neurologjike, mund të shfaqen nesër tek njerëzit pa probleme shëndetësore”, paralajmëron Dr. Sisodiya. Studimet gjenetike sugjerojnë se disa individë mund të jenë më të ndjeshëm ndaj stresit termik për shkak të variacioneve në proteinat që ndihmojnë trurin të funksionojë në temperatura të caktuara.

Një sfidë globale, një përgjigje që ende mungon

Nuk është e qartë se cila është më e dëmshme për trurin: temperatura maksimale e ditës, zgjatja e valës së nxehtësisë apo netët e nxehta. Kjo mund të ndryshojë nga individi në individ dhe nga sëmundja në sëmundje. Por një gjë është e qartë: nevojitet urgjentisht identifikimi i grupeve më të rrezikuara dhe ndërtimi i strategjive për t’i mbrojtur ata – si sistemi paralajmërues për valët e nxehtësisë apo ndihma financiare për punëtorët që nuk mund të punojnë gjatë temperaturave ekstreme.

Në fjalët tronditëse të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres: “Epoka e ngrohjes globale ka përfunduar, ka ardhur epoka e zierjes globale.”

Dhe bashkë me të, ka nisur edhe epoka e trurit të nxehtë./K.C/dritare.net