
Uji i ftohtë në verë shkatërron zemrën. Këshillat nga mjekja Ëngjëllushe Hasani!
Dritare.net
Kushtet klimatike dhe ndikimi i tyre në shëndetin e zemrës. Këshilla nga mjekja kardiologe, Dr. Ëngjëllushe Hasani në DritareTv!
Kushtet klimatike ndikojnë në shëndetin e njeriut në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë në sistemin kardiovaskular. Vitet e fundit kemi vënë re një rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në shëndetin e popullatës. Këto rritje të temperaturës kanë qenë të pazakonta dhe të zgjatura. Pacientët me sëmundje kardiovaskulare, përveç faktorëve tradicionalë të riskut që ndikojnë në shëndetin e zemrës, janë të ndjeshëm edhe ndaj temperaturave të larta, të cilat përbëjnë një faktor shtesë stresi për organizmin.
Te popullata e përgjithshme, por sidomos te pacientët me sëmundje të zemrës, vërehen ndryshime të dukshme gjatë periudhave me temperatura të larta. Zemra në këto kushte detyrohet të punojë 2 deri në 4 herë më shumë se sa në temperatura normale, çka sjell vështirësi në funksionimin e saj, veçanërisht tek ata me rrezik të mesëm ose të lartë.
Pacientët me pamjaftueshmëri të zemrës përjetojnë shpesh simptoma të pazakonta gjatë verës. Gjatë ditëve me temperatura të larta, sidomos kur kalojnë zonën e rrezikut (mbi 35°C), ata mund të shfaqin djersitje të shtuar, takikardi (rrahje të shpejta të zemrës), lodhje të përgjithshme dhe ndjesi dobësie. Këto janë më të theksuara tek pacientët me insuficiencë kardiake.
Moshat mbi 75 vjeç, fëmijët e vegjël dhe të sëmurët kronikë janë gjithashtu më të rrezikuar. Përveç takikardisë apo aritmisë (çrregullime të ritmit të zemrës), mund të shfaqen edhe palpitacione të forta apo rrahje të çrregullta të zemrës. Këto mund të ndodhin edhe për shkak të sëmundjeve të tjera shoqëruese.
Një gjë është e sigurt: nëse një person është në moshë të madhe dhe ka sëmundje kronike (si diabeti, astma bronkiale apo sëmundje të zemrës), ai do ta ketë më të vështirë të përballojë temperaturat e larta. Në këto raste, zemra ngarkohet edhe më shumë për të ruajtur funksionet e saj.
Hidratimi, thelbësor në temperatura të larta
Një ndër shkaqet kryesore të përkeqësimit të simptomave gjatë temperaturave të larta është dehidratimi. Prandaj, është shumë e rëndësishme që njerëzit të hidratojnë mjaftueshëm organizmin gjatë ditës.
Trupi i njeriut përbëhet rreth 60% nga uji, prandaj hidratimi është një faktor kyç për mbrojtjen nga efektet e nxehtësisë. Rekomandohet që gratë të konsumojnë rreth 11.5 gota ujë në ditë (afërsisht 2 litra), ndërsa burrat rreth 15.5 gota (afërsisht 3 litra). Uji ndihmon jo vetëm në rregullimin e temperaturës së trupit, por edhe në reduktimin e lodhjes dhe rritjen e energjisë.
Megjithatë, marrja e lëngjeve duhet të jetë e kontrolluar, veçanërisht tek pacientët me pamjaftueshmëri të avancuar të zemrës (klasa III dhe IV). Këta pacientë duhet të konsultohen me mjekun kardiolog për të përcaktuar sasinë e lejuar të lëngjeve gjatë ditës.
Uji i freskët (jo i ftohtë nga frigoriferi) dhe ambientet e freskëta janë të rekomanduara për të gjithë, veçanërisht për të moshuarit që nuk arrijnë të pijnë sasi të mjaftueshme uji. Për ta, këshillohet edhe përdorimi i napave të lagura në zonën e sqetullave për të ulur temperaturën e trupit.
Kush janë më të rrezikuarit?
Përveç pacientëve me sëmundje të zemrës, të rrezikuar janë edhe ata me:
Diabet
Astmë bronkiale
Anemi
Çrregullime të tiroides
Obezitet (me indeks të masës trupore mbi 30)
Mungesë të vitaminës D
Të gjitha këto gjendje e bëjnë më të vështirë përshtatjen e trupit me temperaturat ekstreme dhe rrisin rrezikun për komplikacione si takikardi, lodhje e theksuar, mungesë oksigjeni në inde, etj.
Shenjat që duhen marrë seriozisht
Çdo individ që gjatë valës së të nxehtit përjeton simptoma të reja si lodhje e pazakontë, rrahje të shpejta apo të çrregullta të zemrës, ndjesi dobësie apo çrregullime të ritmit të zemrës, duhet të konsultohet me mjekun për një kontroll të përgjithshëm. Këto simptoma mund të jenë tregues i një gjendjeje shëndetësore të panjohur më parë.
Çfarë duhet të shmangin pacientët me zemër?
Pacientët me pamjaftueshmëri të zemrës nuk duhet të dalin nga shtëpia në orët më të nxehta të ditës, e aq më pak të shkojnë në plazh. Temperaturat e larta, sidomos ato mbytëse dhe pa qarkullim ajri, janë të rrezikshme edhe për persona të shëndetshëm, jo më për ata me sëmundje të rënda kardiake.
Nëse dëshirojnë të bëjnë një shëtitje, rekomandohet ta bëjnë herët në mëngjes, para se të nxehet ambienti, ose vonë në mbrëmje kur temperatura bie.
Një tjetër faktor rëndues, mungesa e gjumit dhe stresi
Këtë vit është vënë re që temperaturat kanë qenë të larta jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës. Kjo ka ndikuar negativisht në cilësinë e gjumit dhe mirëqenien psikologjike të njerëzve, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Rritja e këtyre çrregullimeve ndikon drejtpërdrejt edhe në shëndetin e zemrës.
Stresi i shtuar është një nga faktorët kryesorë që rrit rrezikun për infarkt. Prandaj, individët që nuk janë në kontroll të vazhdueshëm mjekësor dhe nuk janë në dijeni për problemet e tyre kardiake, mund të përballen me pasoja të rënda gjatë valëve të të nxehtit, sidomos nëse ekspozohen ndaj ndryshimeve të papritura të temperaturës, si p.sh. futja në det kur temperatura e trupit është shumë e lartë. Këto ndryshime të menjëhershme mund të çojnë në spazma të enëve të gjakut dhe rritje të rrezikut për infarkt./K.C/dritare.net

















