E dëbuan nga Turqia pas 25 vitesh, nëna shqiptare kërkon ndihmë: Nuk më lënë të takoj vajzën!
Dritare.net

Një histori emigrimi është rrëfyer në studion e DritareTV, ku Mira Tahiraj tregoi dramën e saj personale pas 25 vitesh jetese në Turqi, pa dokumente, që përfundoi me deportim dhe ndalim hyrjeje për pesë vite.
E ftuar në emision Intervista e Ditës, ajo rrëfeu se kishte shkuar në Stamboll në vitin 1999, kur vajza e saj ishte vetëm 5 vjeçe e gjysmë dhe që prej asaj kohe kishte jetuar pa dokumentacion të rregullt.
"Unë në Stamboll kam ikur në vitin '99 dhe vajza ishte pesë vjeç e gjysmë. Për 25 vite kam qëndruar pa letra dhe sot për këtë kam ardhur të flas," tha ajo.
Mira tregoi se gjatë gjithë këtyre viteve punoi në pastrim shtëpish dhe nuk arriti të pajisej me dokumente, ndërsa frika e autoriteteve e pengoi të kërkonte ndihmë.
"Ku punonim neve nuk na i bënin dokumentat. Ishim pa letra dhe kishim frikë të shkonim te policia," u shpreh ajo.
Historia mori një kthesë dramatike kur autoritetet turke e ndaluan pas 25 vitesh.
"Më kapi policia civile në rrugë. Më kërkoi pasaportën dhe e dija që më kishte mbaruar prej 25 vitesh. U dorëzova vetë dhe u thashë: 'Jeni ju të parët që më kapni pas 25 vitesh'," tregoi ajo.
Pas ndalimit, Mira u deportua në Shqipëri dhe mori një ndalim hyrjeje për pesë vite, duke e lënë larg vajzës së saj, e cila jeton në Turqi me familjen.
"Një vit e gjysmë kam pa e takuar vajzën time. Ajo vjen më takon në Shqipëri, por unë nuk mund të shkoj në Stamboll," tha me emocion ajo.
Ajo ngriti edhe shqetësimin për shqiptarët e tjerë në të njëjtën situatë.
"Ka shumë shqiptarë pa letra si puna ime. Duam një zgjidhje, sepse kemi frikë të drejtohemi tek institucionet," tha Mira.
Në studio, avokati Edi Qehaja shpjegoi se deportimi është një masë ligjore dhe se e vetmja mundësi për të shkurtuar afatin është ndjekja e procedurave përmes një avokati në Turqi.
"Depërtimi është instrument ligjor. E vetmja mënyrë për ta shkurtuar afatin është ndjekja e një procedure ligjore me një avokat në Turqi," u shpreh ai.
Në fund të intervistës, Mira bëri një apel për ndihmë:
"Unë dua vetëm të takoj vajzën time. Kam 25 vite që kam jetuar atje dhe tani po vuaj këtë pesëvjeçare," përfundoi ajo.
Historia e saj ka ngritur diskutime mbi situatën e emigrantëve shqiptarë në Turqi dhe vështirësitë për pajisjen me dokumentacion të rregullt pas viteve të gjata qëndrimi informal./K.C/dritare.net