Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edi Rama: Tregim për Shqipërinë, fshehur 80 vjet në histori!

Edi Rama: Tregim për Shqipërinë, fshehur 80 vjet në histori!

Një faqe e jashtëzakonshme dhe e harruar e historisë së përbashkët shqiptaro-italiane po vihet në dukje nga dokumentari i gazetares Rudina Xhunga. Për herë të parë për këtë dokumentar u fol zyrtarisht ne konferencen e shtypit në Romë mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni. Bëhet fjalë për shpëtimin e rreth 25,000 ushtarëve italianë nga familjet shqiptare në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë dhe mbërritjes së forcave naziste në Shqipëri. E pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministrja Meloni e cilësoi këtë ngjarje si "një faqe të jashtëzakonshme të historisë dhe marrëdhënieve" që tregon afërsinë e thellë mes dy popujve.

Ajo konfirmoi se ishte në dijeni të projekteve për rivlerësimin e kësaj historie dhe shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë së saj për të mbështetur këto nisma. "Do të ishte një nga shprehjet më të bukura të asaj që është miqësia dhe dashuria, gatishmëria për të sakrifikuar veten për tjetrin," tha Meloni. Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga në një intervistë për Dritare TV pranoi se kjo histori ka mbetur në heshtje për 80 vite dhe se vetë ai ishte njohur me dimensionin e saj të plotë falë punës së gazetares. Ai shpjegoi se narrativa kombëtare shqiptare e pasluftës e kishte anashkaluar këtë ngjarje, ndoshta sepse ushtarët italianë ishin pjesë e një ushtrie pushtuese fashiste dhe kujtesa kolektive e kishte portretizuar italianin më shumë si një figurë "gjysmë qesharake" si në filmin "Njeriu me top", sesa si një masë prej 25,000 njerëzish në nevojë që u shpëtuan nga shqiptaret.

Edi Rama: Tregim për Shqipërinë, fshehur 80 vjet në histori!

"E vërteta është që ky nuk është një fakt historik i njohur mjaftueshëm për të zënë vend në memorien kolektive," tha Rama, duke e krahasuar këtë heshtje me atë që mbuloi për dekada edhe historinë e shpëtimit të hebrenjve, e cila fitoi vëmendje vetëm pas rënies së komunizmit. Kryeministri Rama e theksoi këtë akt humanizmi si një nga dy momentet më krenare të historisë shqiptare, krahas shpëtimit të hebrenjve.

Edi Rama: Tregim për Shqipërinë, fshehur 80 vjet në histori!

Rama përgëzoi gazetaren Rudina Xhunga që po nxjerr në dritë këtë histori të harruar ndërsa i bëri një kërkesë publike ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, për të ndihmuar në shfaqjen e këtij filmi në Parlamentin Italian, në mënyrë që kjo dëshmi e fuqishme e miqësisë dhe humanizmit të bëhet e njohur për të gjithë, shqiptarë dhe italianë, që kanë një të kaluar ku i janë gjendur njëri-tjetrit jo vetëm pas 1990./dritare.net