Gara për kreun e SPAK, KLP vendos datën kur do pyeten kandidatët
Dritare.net

Më 11 dhjetor, në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të zhvillohen intervistat me katër kandidatët që synojnë të marrin drejtimin e SPAK. Procesi vjen pak ditë para përfundimit të mandatit 3-vjeçar të kreut aktual Altin Dumani, i cili më 18 dhjetor dorëzon detyrën.
Kandidatët do t’i nënshtrohen një procedure të hapur vlerësimi, përmes intervistave publike dhe analizës së detajuar nga KLP, që do të marrë në konsideratë përvojën profesionale, integritetin, vizionin dhe aftësinë e tyre për të drejtuar një institucion me rëndësi të lartë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një nga emrat më me përvojë është Adnan Xholi, i emëruar prokuror për herë të parë në vitin 2004. Ai shërben aktualisht në SPAK dhe mban funksionin e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një pozicion i rëndësishëm në hetimet kundër grupeve kriminale dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Klodian Braho, prokuror që prej vitit 2007 dhe pjesë e SPAK që nga krijimi i tij, drejton aktualisht seksionin kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme.
Në garë është edhe Elvin Gokaj, i cili e ka nisur karrierën në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e SPAK dhe ka kontribuar në një sërë hetimesh me ndikim të ndjeshëm publik./K.C/dritare.net