Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjendje emergjence në Evropë. Zjarret po bëjnë kërdinë, si paraqitet gjendja!

Gjendje emergjence në Evropë. Zjarret po bëjnë

Emergjenca për zjarret është duke u përkeqësuar në Spanjë dhe Portugali, ku zjarret e shumta po përhapen me shpejtësi për shkak të valës së nxehtësisë rekord që godet Evropën. Temperaturat ekstreme, që në disa zona arrijnë deri në 44 gradë celsius, kanë detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të mbrojtur jetën e banorëve dhe pronën.

Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje, duke përballuar kushte shumë të vështira dhe duke luftuar flakët në zona të ndryshme, përfshirë komunën e Tres Cantos, 23 kilometra në veri të Madridit, ku zjarri vazhdoi edhe gjatë natës së hënë. Shumë banorë janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në ditët në vijim, përcjell dritare.net

Vala e nxehtësisë që ka kapluar Evropën është një fenomen i pazakontë për këtë periudhë të vitit dhe po sjell temperatura jashtëzakonisht të larta në shumë vende. Meteorologët paralajmërojnë se moti i nxehtë do të vazhdojë të ndikojë në rajon të paktën deri të mërkurën, duke rritur rrezikun për zjarre të reja dhe probleme shëndetësore si goditje nga nxehtësia dhe dehidratim.

Gjendje emergjence në Evropë. Zjarret po bëjnë
Edhe në Shqipëri situata është shqetësuese, me 37 vatra zjarri të evidentuara deri më tani, nga të cilat 30 mbeten ende aktive. Zona më problematike janë Gramshi në Elbasan, Finiqi në Vlorë, Poliçani në Berat dhe zonat Ibë dhe Damjan në Tiranë. Në Gramsh, banorët e fshatit Skënderbegas janë evakuuar për shkak të flakëve, ku është raportuar edhe një humbje jete. Në Poliçan, flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe rrezikojnë disa fshatra përreth, duke detyruar autoritetet të bëjnë thirrje për largim të menjëhershëm të banorëve. Në operacion janë të angazhuar 5 helikopterë Black Hawk nga Shqipëria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Çekia dhe Sllovakia, si dhe avionë PZL nga Greqia, duke treguar një koordinim ndërkombëtar në luftën kundër zjarreve.

Gjendje emergjence në Evropë. Zjarret po bëjnë

Situata në vendet e tjera të BE-së!

Greqi
Po luftohen 7 zjarre të mëdha, përfshirë në ishujt Zakynthos, Kefalonia, Vonitsa dhe Fokida. Evakuohen banorë dhe turistë nga disa zona, përfshirë ishullin e Kios dhe qytetin e Patrasit. Temperaturat e larta dhe era e fortë po e bëjnë luftën me flakët më të vështirë.

Itali
Rreth 700 zjarre janë regjistruar deri tani në vitin 2025. Vatra aktive janë raportuar në rajone të ndryshme, duke përfshirë jugun dhe ishujt.
Autoritetet kanë shpallur alarme të kuqe për disa qytete për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të zjarreve.

Francë

Po luftohet zjarri më i madh në 50 vitet e fundit në rajonin e Corbières, që ka prekur 16 komuna dhe ka shkaktuar dëme të mëdha.

Turqi

Një zjarr i madh në provincën e Çanakalles ka detyruar evakuimin e 2,000 personave dhe ka shkaktuar 77 të plagosur.


Bullgari dhe Hungari

Temperaturat e larta kanë rritur rrezikun e zjarreve, duke shkaktuar shqetësime për mundësinë e shpërthimit të flakëve./K.C/dritare.net