Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gruaja me Parkinson luan klarinetë gjatë operacionit në tru

Gruaja me Parkinson luan klarinetë gjatë operacionit në tru

Një grua 65-vjeçare nga Crowborough i East Sussex-it, e cila vuan nga sëmundja e Parkinsonit, ka përjetuar një moment të jashtëzakonshëm gjatë një operacioni në tru, teksa luajti klarinetën ndërsa mjekët i stimulonin trurin me impulse elektrike.

Denise Bacon, e cila më parë ka punuar si logopede, ishte diagnostikuar me Parkinson në vitin 2014 – një sëmundje që i kishte kufizuar ndjeshëm aftësinë për të ecur, notuar, kërcyer dhe luajtur instrumentin e saj të preferuar.
Pas disa vitesh përkeqësimi të simptomave, ajo iu nënshtrua një procedure të quajtur stimulim i thellë i trurit (Deep Brain Stimulation – DBS) në Spitalin King's College në Londër.

Operacioni, i cili zgjati rreth katër orë, u krye nga profesori i neurokirurgjisë Keyoumars Ashkan, ndërsa zonja Bacon qëndroi zgjuar gjatë gjithë kohës.
Pasi elektrodat u vendosën në zonat e sakta të trurit, ajo ndjeu menjëherë përmirësim në lëvizjet e gishtave – aq sa mundi të luante sërish klarinetën me lehtësi.

“Mbaj mend që dora ime e djathtë lëvizte shumë më lirshëm sapo u aplikua stimulimi, dhe kjo më lejoi të luaja klarinetën me një gëzim të jashtëzakonshëm,” – u shpreh zonja Bacon.
Ajo shtoi se tashmë po ndien përmirësime të dukshme edhe në ecje dhe mezi pret të rikthehet në pishinë dhe në pistën e kërcimit.

Profesori Ashkan tha se gjatë procedurës ishin hapur vrima gjysmë më të vogla se një monedhë pesëpencëshe në kafkën e saj, ndërsa një kornizë me koordinata precize ishte përdorur si “satelit navigimi” për të udhëhequr kirurgët në vendosjen e elektrodave.

“Ishim të mahnitur kur pamë përmirësimin e menjëhershëm në lëvizjet e dorës së saj dhe aftësinë për të luajtur,” – shtoi ai. Denise Bacon kishte qenë anëtare e East Grinstead Concert Band, por ishte detyruar të ndalonte para pesë vitesh për shkak të simptomave të Parkinsonit. Tani, ajo shpreson se falë ndërhyrjes së suksesshme, do të mund të rikthehet sërish në orkestër./L.F-dritare.net

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)