Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë së kateringut
Dritare.net
Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim lidhur me helmimin e dhjetëra studentëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale K.B., 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe K.P., 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë private të kateringut që furnizonte studentët me tre vakte ushqimore. Ndërkohë, është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë, Alma Tafani, ndërsa një tjetër teknologe ushqimi, R.Ç., 35 vjeçe, po procedohet në gjendje të lirë.
Sipas policisë, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur në Repartin Infektiv të QSUT-së pasi shfaqën simptoma të rënda si të vjella dhe dhimbje të forta barku, të dyshuara si pasojë e helmimit nga ushqimi i konsumuar në ambientet e akademisë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe trajtimit me serume, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të stabilizuar.
Hetimet po zhvillohen nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer kontrolle në subjektin “SORI-AL”, kompania që ushtronte aktivitetin e kateringut për Akademinë e Sigurisë. Sipas AKU-së, ushqimi prodhohej në ambientet e garnizonit “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura dhe më pas shpërndahej i gatshëm në akademi.
Gjatë inspektimeve u bllokuan rreth 85.9 kilogramë produkte ushqimore të cilat u dërguan për analiza mikrobiologjike në laboratorin e ISUV. Gjithashtu, në ambientet e kompanisë u sekuestruan edhe 67.3 kilogramë produkte të tjera ushqimore dhe 1350 kokrra vezë.
AKU bëri me dije se gjatë kontrolleve u konstatuan mungesa në sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, çka solli vendosjen e dy gjobave administrative me vlerë nga 100 mijë lekë secila ndaj subjektit.
Autoritetet kanë deklaruar se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive për rastin që tronditi Akademinë e Sigurisë./L.F-dritare.net