Helmimi i dhjetëra studentëve të Akademisë së Policisë, reagon drejtori Hita
Dritare.net

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Policisë ka vënë në lëvizje autoritetet, ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se situata po trajtohet me prioritet dhe se gjendja shëndetësore e studentëve paraqitet e stabilizuar. Sipas tij, studentët shfaqën simptoma të lehta dhe morën menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin infektiv.
Hita bëri të ditur se policia ka arrestuar dy persona përgjegjës, teknologun dhe kuzhinierin e kompanisë së kateringut, ndërsa administratorja është shpallur në kërkim. Paralelisht, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, është bllokuar ushqimi i dyshuar si i kontaminuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Studentët dyshohet se janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Nga 56 të prekurit, vetëm dy studentë u mbajtën nën kujdes mjekësor, ndërsa pjesa tjetër u largua pas trajtimit. Ndërkohë, ISHP dhe AKU kanë nisur analizat laboratorike dhe hetimin epidemiologjik për të përcaktuar burimin e helmimit.
“Kjo është një situatë sensitive edhe për ne. Jemi njoftuar dje që disa prej studentëve kanë shkuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tyre është paraqitur në simptoma të lehta, jo shumë të rënduara. Ne kemi marrë masat në Akademinë e Sigurisë për të gjithë studentët që ndodheshin aty. Për sa i përket veprimeve që morëm dje u arrestuam 2 prej personave përgjegjës dhe u shpall në kërkim administratorja. Bllokuam në bashkëpunim me AKU ushqimin, hetimet po vijojnë”, tha Hita./K.C/dritare.net