Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Marrëveshja 6 miliardë $ për gazin/ Edi Rama: Vlora kthehet në nyje energjetike

Marrëveshja 6 miliardë $ për gazin/ Edi Rama: Vlora kthehet

Në shënimet e javës të podkastit Flasim, kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te një prej zhvillimeve më të rëndësishme të javës në fushën e energjisë, duke njoftuar arritjen e një marrëveshjeje strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror për 20 vitet e ardhshme. Marrëveshja, me një vlerë prej rreth 6 miliardë dollarësh, synon të forcojë sigurinë energjetike të vendit dhe të krijojë bazat për një pavarësi më të qëndrueshme në këtë sektor strategjik.


“Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.


Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha Rama./K.C/dritare.net