“Next in Tourism” në Himarë/ Blendi Gonxhja: Fokus te turizmi i qëndrueshëm
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja mori pjesë në një takim të rëndësishëm në Himarë, në kuadër të nismës “Next in Tourism”, ku u diskutuan zhvillimet dhe sfidat e sektorit turistik në Shqipëri. Aktiviteti, i cili përkoi me çeljen zyrtare të sezonit turistik në këtë zonë bregdetare, mblodhi përfaqësues të institucioneve, operatorë turistikë dhe ekspertë të fushës për të ndarë ide dhe për të eksploruar modele të reja zhvillimi, me fokus te turizmi i qëndrueshëm dhe cilësor.
"Në kuadër të nismës “Next in Tourism”, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Himarë dhe kolegë e njohës të sektorit, ndamë ide e eksperienca në panelin e një takimi përfshirës mbi ecurinë dhe sfidat e industrisë së turizmit dhe për situatën rajonale e kontekstin shqiptar. Aktiviteti përkoi me çeljen e sezonit turistik në Himarë, ku përgjatë tre ditëve mblidhen miq e dashamirës, si edhe shumë drejtues e protagonistë të fushave që lidhen drejtpërdrejt me turizmin. Ekipi i MTKS ndoqi me interes diskutimin e hapur me operatorë turistikë, sipërmarrës dhe përfaqësues institucionesh mbi modelet dhe perspektivën e re të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, me fokus të veçantë atë detar e mesdhetar, ku turizmi kulturor e sportiv, guidat dhe natyra luajnë një rol të rëndësishëm.
Gjatë këtij takimi u theksua se Himara po përjeton një rritje të qëndrueshme turistike, ku prioritet mbetet cilësia e shërbimit, ruajtja e mjedisit dhe forcimi i identitetit lokal. U nënvizua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve, profesionistëve dhe komunitetit për të ndërtuar një turizëm më të përgjegjshëm dhe afatgjatë.
“Next in Tourism” shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e partneriteteve që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e turizmit në Himarë dhe më gjerë." shkruan ministri Gonxhja./K.C/dritare.net