Mbyllet seanca në Kushtetuese/ Qeveria: Balluku gëzon imunitetin e deputetit, s'mund të pezullohet! SPAK: Rikthimi në detyrë dëmtoi hetimet!
Dritare.net

Ka përfunduar shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut. Seanca zgjati 4 orë dhe u zhvillua pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje. Qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, ndërsa SPAK e kundërshtoi.
GJKKO që mori vendimin për pezullimin e Ballukut, nuk dërgoi përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Pasi dëgjoi palët, Kushtetuesja është tërhequr për vendim dhe pritet të njoftojë datën dhe orën e shpalljes së tij.
Qeveria: Pezullimi i Ballukut s’mund të bëhet pa autorizim nga Kuvendi
Qeveria i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit. Përfaqësuesja e qeverisë Eriola Shia tha se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Qeveria i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit. Qeveria argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputeti, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t'i pezullojë ushtrimin e mandatit pa autorizim nga Kuvendi, kjo nuk mund t'i ndodhë as ministrit.
Këshilli i Ministrave tha se vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. “GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij”, tha përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Eriola Shia. Ndërkohë, nga momenti kur Kushtetuesja hoqi masën e pezullimit të Ballukut deri në shqyrtimin e këtij ankimi përfaqësuesit e qeverisë thanë se ministrja Balluku ka marrë të paktën 50 akte që prekin dikasterin e Infrastrukturës.
SPAK kundër: S’ka konflikt kompetencash
Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kundërshtuan pretendimin e qeverisë duke thënë se nuk ka asnjë konflikt kompetencash mes dy pushteteve. Sipas SPAK, pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e kryeministrit, i cili vetëm emëron ose shkarkon, dhe për rrjedhojë nuk mund t’ia marrin Edi Ramës një kompetencë që nuk e ka.
Prokurorët e SPAK i thanë Gjykatës Kushtetuese se me vendimin e saj për ta rikthyer në detyrë, Belinda Balluku ka cenuar marrjen e provave. Për rrjedhojë, ata kërkuan që të ngelet në fuqi vendimi i GJKKO-së për pezullimin e saj nga detyra, pasi ekziston rreziku që ajo të “helmojë provat”.
SPAK nënvizoi se masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve shkallëve të tjera të gjyqësorit. Pra, sipas SPAK në Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë. SPAK i ktheu përgjigje pretendimeve të qeverisë për pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës, duke thënë se vendimi i GJKKO-së në asnjë rast nuk cenon imunitetin e saj si deputete.
"Lidhur me pretendimin për shkelje të imunitetit të deputetit, ky pretendim është i pabazë, kërkuesi tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Kushtetuta nuk e parashikon, mandati i deputetit dhe ministrit nuk krijojnë një status të vetëm juridik”, tha prokurori i SPAK.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.
Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë.