Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Dendias reagon pas takimit me Ramën: Minoriteti grek është urë miqësie mes dy popujve

Ministri Dendias reagon pas takimit me Ramën: Minoriteti grek

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ka përmbledhur në rrjetin X pikat kryesore të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ku u takua me zyrtarë shqiptarë dhe kryeministrin Edi Rama. Ai tha se bisedimet me homologun shqiptar, Ermal Nufi, u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin brenda NATO-s dhe zhvillimet rajonale. Të dy palët, sipas tij, ranë dakord edhe për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake.

Gjatë takimit me Ramën, Dendias tha se u diskutua situata gjeopolitike në rajon. Ai gjithashtu përmendi Himarën, duke e cilësuar si vend me lidhje të hershme të origjinës së tij dhe ritheksoi qëndrimin se minoriteti etnik grek është “urë miqësie” mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Pritje zyrtare dhe takim me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi, në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë. Në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi brenda NATO, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Bashkëpunimi mbrojtës mes Greqisë dhe Shqipërisë, me përkushtim ndaj parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe respektimit të të drejtave të minoritetit etnik grek, përbën një shtyllë paqeje, sigurie dhe progresi për të gjithë rajonin.

Gjatë takimit me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi, ramë dakord për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake. Greqia respekton gjithmonë ata që sakrifikuan jetën për atdheun.

U prita edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës sime në Tiranë. Analizuam situatën më të gjerë gjeopolitike në rajonin tonë. Pata mundësinë të flas për Himarën, të cilën e konsideroj si vendin e hershëm të origjinës , dhe të ritheksoj qëndrimin tim se Minoriteti Etnik Grek është një urë miqësie mes dy shteteve dhe dy popujve.", thuhet në reagimin e Dendias./K.C/dritare.net