Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hapen aplikimet për skemën kombëtare të bujqësisë, 5.2 mld lekë financim!

Hapen aplikimet për skemën kombëtare të bujqësisë,

Ministria e Bujqësisë ka hapur sot aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë për këtë vit, duke iu dhënë mundësi fermerëve për të përfituar mbështetje për bagëtitë, bletarinë apo edhe të mbjellat.

Ministri i bujqësisë, Andis Salla u bën thirrje fermerëve që të aplikojnë përmes portalit e-Albania për të përfituar për 12 masa mbështetesë që ofrohen me skemën e re kombëtare.

“Së bashku krijuam skemën kombëtare. Është koha të aplikoni për 12 masa mbështetëse. Më 25 maj hapim thirrjen kombëtare, apliko”, tha Salla.

Skema e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekë dhe synon financimin edhe të fermave të vogla. Me skemën e re është përgjysmuar numri i bagëtive që duhet të ketë një blegtor për të përfituar. 12 mijë lekë për çdo krerë lopë do të marrin ata blegtorë që kanë tufa jo më të më të vogla se 5 bagëti, vjet ishte 10 mijë lekë për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.

Për herë të parë financimi do ketë edhe për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, financimi dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere, nga 50 koshere që ka qenë detyrimi deri në vitin e kaluar.

Skema e re hoqi naftën pa taksa. Fermerët nuk do të përfitojnë më naftë me çmim të reduktuar, pasi Ministria e Bujqësisë vlerësoi se kjo skemë nuk ka funksionuar plotësisht, dhe ka pasur abuzime.

Ndërkohë fermerët duhet të marrin faturë nga grumbulluesit apo agroturizmat kur u shesin produktet, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi me 10% që do të nisë më 1 korrik.

Masat direkte të mbështetjes:
• Tufa bazë e matrikulluar e gjedhit
• Tufa bazë e matrikulluar e imtave
• Mbarështimi i bletarisë
• Tufa bazë e matrikulluar e dosave dhe/ose paradosave
• Kontrolli biologjik i dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
• Fermat organike
• Implementimi dhe certifikimi Global GAP
• Mbështetja për sipërfaqet e mbjella
• Ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme

Masat e investimit

• Mbështetje për fermerët e rinj
• Ndërtim dhe rikonstruksion stanesh
• Pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës./dritare.net