Në Dhërmi çadra falas për pushuesit që konsumojnë në bizneset e plazhit, Gonxhja: Model pozitiv
Dritare.net

Një model i ri shërbimi po merr vëmendje në bregdetin shqiptar, ku në Dhërmi disa operatorë turistikë po ofrojnë çadra dhe shezlongë falas për pushuesit që konsumojnë në ambientet e tyre. Ky shembull po shihet si një qasje ku prioritet vendoset te cilësia e shërbimit dhe eksperienca e vizitorit, përpara fokusit të drejtpërdrejtë te tarifimi.
"Patjetër që prioritet i yni është plazhi, pushimi, turizmi i përballueshëm, i aksesueshëm nga çdo xhep e shije, i drejtë për raportin çmim/cilësi, kosto/kënaqësi, i fiskalizuar, jo kurth, duke garantuar edhe industrinë e ekonominë, edhe të ardhura të vetëqendrueshme vendore por edhe alternativat për të gjithë – tipologjitë e stacioneve të plazhit private, ato publike të menaxhuara nga vetë bashkitë si dhe ato të virgjëra me detyrimet respektive të siguri/higjenës”, u shpreh Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja.
Ai theksoi se këtë sezon është rritur sipërfaqja e plazheve publike, janë përmirësuar sinjalistikat orientuese dhe janë aplikuar tarifa më ekonomike, ndërsa sezoni turistik po administrohet në koordinim ndërinstitucional.
“Shqipëria konfirmohet bindshëm si një destinacion model i mikpritjes, me operim gjithëvjetor të mirëstrukturuar e gjithnjë e më të ndërgjegjësuar mbi vlerën e një qasjeje afatgjatë të të bërit biznes e të një tregu të qendrueshëm, si dhe me ndjeshmëri të lartë mjedisore pa harruar se e tërë vija bregdetare, liqenore e lumore janë pasuri kombëtare”, tha ministri, duke shtuar se natyra, pastërtia dhe qetësia mbeten prioritete kryesore për zhvillimin e turizmit në vend./L.F-dritare.net