Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nisur nga rasti i Jimmy Kimmel, Trump kërcënon televizionet me heqje licencash

Nisur nga rasti i Jimmy Kimmel, Trump kërcënon televizionet me heqje

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka sugjeruar se disa rrjete televizive duhet të rrezikojnë humbjen e licencave të tyre, pas përplasjes mes komedianit Jimmy Kimmel dhe rregullatorit amerikan të transmetimeve, FCC.

Deklarata e tij erdhi pasi televizioni ABC pezulloi “për një kohë të pacaktuar” shfaqjen Jimmy Kimmel Live! pas komenteve të prezantuesit për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në Utah.

Komentet e Kimmel dhe reagimi politik

Në monologun e tij, Kimmel sugjeroi se autori i vrasjes mund të kishte lidhje me mbështetës të Trump-it, gjë që u kundërshtua nga autoritetet, të cilat deklaruan se i dyshuari ishte i “indoktrinuar nga ideologjia e majtë”. Komentet u konsideruan “ofenduese dhe të pandjeshme” nga rrjeti Nexstar Media, një nga operatorët më të mëdhenj televizivë në SHBA, i cili vendosi të mos e transmetojë më programin.

Kryetari i FCC-së, Brendan Carr – i emëruar nga Trump – e cilësoi sjelljen e Kimmel “të sëmurë” dhe paralajmëroi se rrjetet që nuk ndryshojnë “do të përballen me pasoja”.

Trump: "Ndoshta duhet t’u hiqet licenca"

Duke folur nga Air Force One, Trump tha:

“Mediet më japin vetëm publicitet negativ, 97% kundër meje. Ata kanë licenca. Ndoshta duhet t’u hiqet licenca.”

Deklarata ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrje politike ndaj lirisë së fjalës dhe censurë ndaj kritikëve të administratës.

Reagime brenda dhe jashtë ekranit

Pezullimi i Kimmel ka nxitur reagime të forta nga komedianë dhe figura publike.

Stephen Colbert e quajti vendimin “censurë të hapur” dhe paralajmëroi se “me një autokrat nuk mund të lësh asnjë hapësirë”.

Jon Stewart ironizoi se shfaqja e tij tashmë ishte “në përputhje me administratën” dhe e quajti Trump-in “udhëheqës i dashur”.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama tha se administrata Trump është në një "nivel të ri dhe të rrezikshëm, duke kërcënuar rregullisht me masa ndëshkuese kompanitë mediatike, përveç nëse ato heshtin ose largojnë gazetarët dhe komentatorët që nuk i pëlqejnë".

Nobelistja Maria Ressa paralajmëroi se situata në SHBA “ngjan me atë që ndodhi në Filipine” nën Duterte.
Nga ana tjetër, disa komentues konservatorë, si Greg Gutfeld dhe Piers Morgan, thanë se Kimmel e kishte kaluar kufirin me deklarata të pavenda dhe po viktimizohej si “martir i fjalës së lirë”.

Dimensioni ligjor

Ekspertët juridikë theksojnë se Amendamenti i Parë i Kushtetutës e ndalon qartësisht heqjen e licencave për arsye politike. Megjithatë, presioni mbi rrjetet televizive dhe aktorët mediatikë shihet si një precedent i rrezikshëm për lirinë e shprehjes në SHBA./L.F-dritare.net