Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia publikon planin e masave për ndeshjen Shqipëri–Luksemburg, ja ku kufizohet qarkullimi!

Policia publikon planin e masave për ndeshjen

Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Luksemburgut, e cila do të zhvillohet më 6 qershor 2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, duke nisur nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit. Mes rrugëve që do të bllokohen janë segmentet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri”, si dhe zona e sheshit “Willson”, ku do të ketë devijim të trafikut.

Policia sqaron se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e automjeteve.

Për të garantuar sigurinë në stadium, efektivët e Policisë do të kryejnë kontrolle të detajuara ndaj tifozëve në hyrje. Nuk do të lejohen sende si fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, banderola me përmbajtje raciste, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues telefonash, produkte kozmetike dhe çdo objekt tjetër që mund të paraqesë rrezik për pjesëmarrësit.

Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00, dy orë para fillimit të takimit.

Policia e Shtetit njofton se për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv është angazhuar një numër i konsiderueshëm punonjësish policie dhe u bën thirrje qytetarëve e tifozëve të respektojnë udhëzimet e dhëna për të shmangur vonesat dhe problematikat gjatë zhvillimit të ndeshjes.