Gazment Bardhi: Balluku ka dy vila në Dhërmi. Ftoj SPAK-un ta hetojë!
Dritare.net

Në një seancë të sotme në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën socialiste për mbrojtjen që, sipas tij, i është bërë zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke mos i hequr imunitetin pas kërkesës së SPAK.
Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi akuzoi socialistët se po mbrojnë, siç tha ai, korrupsionin, duke theksuar se çështja lidhet me disa prona dhe duke i bërë thirrje SPAK-ut të vijojë hetimet. Ai kërkoi gjithashtu që mazhoranca të kërkojë ndjesë ndaj qytetarëve për situatën e krijuar.
Gazment Bardhi: "Ju u bëtë karton i kuq për të mbrojtur korrupsionin e Belinda Ballukut. Ju mbrojtët këtë vilë që po jua tregoj në foto. Një vilë që Belinda Balluku e merr përmes një firme. Bëni mirë që e ulni kokën dhe po ju them se nuk është një vilë, por dy vila. Inkurajoj SPAK-un të vazhdojë hetimet. Ju duhet të kërkoni ndjesë ndaj shqiptarëve dhe ndaj atyre që luftojnë kundër korrupsionit.”
Deklaratat e Bardhit erdhën pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e një vile në Dhërmi, që sipas hetimeve dyshohet se është fshehur në emër të ish-futbollistit Igli Tare./K.C/dritare.net