Akuzat e reja që rëndojnë mbi Belinda Ballukun!
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme ka rënduar pozitat e Belinda Ballukut, duke zgjeruar hetimet ndaj saj me dy akuza të reja për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka vendosur gjithashtu sekuestro preventive mbi një vilë në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, që sipas hetuesve lidhet me përfitime të parregullta të dyshuara nga një procedurë prokurimi publik.
Sipas SPAK, Balluku dyshohet se, në kohën kur drejtonte Albcontrol sh.a., ka favorizuar kompaninë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e godinës teknologjike të institucionit. Hetimet pretendojnë se kompania është favorizuar që në fazën e hartimit të dokumenteve të tenderit, duke përfituar avantazhe dhe privilegje të padrejta në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike.
Prokuroria thotë se favorizimi i operatorit ekonomik ka vijuar edhe pas shpalljes fituese të kompanisë, përmes parapagimit të menjëhershëm në masën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të saj dhe të shtesës së kontratës.
Sipas dosjes hetimore, në këmbim të këtij favorizimi, Balluku dyshohet se ka kërkuar dhe marrë një përfitim të parregullt me vlerë 145 mijë euro, i materializuar në formën e një vile në resortin “White Rocks” në Dhërmi. SPAK pretendon se kjo pasuri përbën produkt të veprës penale dhe është fshehur përmes veprimeve juridike të dyshuara si fiktive.
Hetuesit kanë ngritur dyshime se për të fshehur pronësinë reale të vilës janë përdorur persona të tretë, përfshirë shtetasit I.T. dhe J.B., ndërsa janë lidhur kontrata porosie dhe qiraje që konsiderohen fiktive. Sipas SPAK, këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë dhe shmangien e identifikimit të pronarit të saj real.
Në njoftimin zyrtar thuhet se provat e mbledhura deri tani, përfshirë metoda speciale hetimi, prova dixhitale dhe dokumentacion të sekuestruar, kanë krijuar dyshime të arsyeshme për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht skemën e dyshuar, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje./dritare.net
