Punimet në aeroportin e Vlorës, Ministri Karakaçi ultimatum kompanive: Keni 30 ditë afat të zgjidhni mosmarrëveshjet
Dritare.net

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës u ka kërkuar zyrtarisht kompanive që po ndërtojnë Aeroportin e Vlorës të zgjidhin brenda 30 ditëve konfliktin mes tyre, me qëllim vijimin e punimeve dhe përfundimin e projektit në afat.
Përmes një shkrese të firmosur nga ministri Enea Karakaçi, kompanitë janë paralajmëruar se, nëse nuk arrijnë një marrëveshje brenda afatit të përcaktuar, do të përballen me penalitetet e parashikuara në kontratë dhe legjislacionin në fuqi.
Ndërhyrja e ministrisë vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila i dha kompanisë “Mabco” të biznesmenit Behgjet Pacolli kontrollin mbi projektin e aeroportit, duke rrëzuar padinë e kompanisë “2A Group” të Valon Ademit. Konflikti mes dy ortakëve ka sjellë bllokimin e punimeve në një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Ministria ka bërë të qartë se prioritet mbetet përfundimi i aeroportit dhe se nuk përjashtohet marrja e masave të mëtejshme në rast se ngërçi mes palëve vijon.
“MIE kërkon formalisht përmes këtij komunikimi, që palët të iniciojnë një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, proces i cili duhet të realizohet brenda një periudhe 30 ditore nga data e këtij komunikimi”, thuhet në letrën e Karakaçit./K.C/dritare.net


