Putin: Rusia do ta marrë Donbasin me forcë
Dritare.net

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga rajoni lindor i Donbasit, përndryshe Rusia do ta marrë atë me forcë. Aktualisht, Moska kontrollon rreth 85% të Donbasit, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar çdo ide të dorëzimit të territorit.
Komentet e Putinit vijnë pas bisedimeve në Moskë me të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff. Megjithatë, pala ruse ka pranuar se nuk është arritur asnjë kompromis, ndërsa mbeten dy çështje kryesore të pazgjidhura: territoret e pushtuara dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Nga ana tjetër, Ukraina akuzon Rusinë se po zvarrit qëllimisht negociatat për t’i dhënë kohë vetes të pushtojë më shumë territore. Ndërkohë, disa liderë europianë kanë shprehur shqetësimin se SHBA mund ta shtyjë Ukrainën drejt një marrëveshjeje të pafavorshme.
Lufta, e nisur në shkurt të vitit 2022, vazhdon, ndërsa Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas dhe po përparon gradualisht në juglindje të vendit./L.F-dritare.net