Irani hap Ngushticën e Hormuzit, por SHBA mban bllokadën detare
Dritare.net

Irani ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur për lundrim gjatë periudhës së mbetur të armëpushimit mes Iranit dhe SHBA-ve.
Në një deklaratë në rrjetin social X, Araghchi bëri të ditur se kalimi për të gjitha anijet tregtare do të lejohet sipas korridoreve të koordinuara nga autoritetet detare iraniane, duke theksuar se vendimi vjen në përputhje me armëpushimin aktual.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ishte mbyllur për disa javë nga Irani, si reagim ndaj sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit në muajin shkurt. Më herët gjatë kësaj jave, SHBA kishte paralajmëruar nisjen e një bllokade detare në këtë zonë.
Ndërkohë, pak minuta pas deklaratës së Iranit, edhe Donald Trump reagoi, duke konfirmuar se Ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e hapur për biznes”. Megjithatë, ai theksoi se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi.
Sipas Trump, masa do të vazhdojë derisa procesi i negociatave me Iranin të përfundojë plotësisht, duke shtuar se shumica e pikave janë tashmë të dakordësuara dhe se marrëveshja pritet të finalizohet shpejt.
Armëpushimi dyjavor mes Iranit dhe SHBA-së pritet të skadojë më 22 prill, ndërsa zhvillimet e fundit po ndiqen me vëmendje për ndikimin e tyre në tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin rajonal./K.C/dritare.net